Leximi

Ua zbukuron aq shumë shtëpinë/ Ja si të mbillni dhe të kujdeseni për lulen e gardenias

Lulja e Gardenias është shumë e njohur për aromën e mrekullueshme dhe lulen tepër tërheqëse ngjyrë të bardhë.

Kjo bimë i reziston të nxehtit dhe gjendet kryesisht në rajonet tropikale dhe subtropikale të Afrikës, Australisë dhe Azisë jugore.

Gardenia mund të lulëzojë kudo, si në kopësht ashtu edhe në vazot brenda shtëpisë tuaj, mjafton që të kujdeseni për të në mënyrën e duhur.

Speciet më të njohura të kultivuara janë Gardenia Jasminoides (quhet gjithashtu edhe G. augusta ose G. grandiflora).

Periudha e lulëzimit fillon në maj dhe vazhdon deri në qershor, por ka edhe disa varietete që lulëzojnë në vjeshtë.

Edhe kur Gardenia nuk është në lulëzim, gjethja e saj e gjelbër, e cila është pothuajse aq e bukur sa lulet, do të mbetet tërheqëse gjatë gjithë vitit.

Gardenia mund të gjendet në forma të ndryshme, shumë prej të cilave janë të përshtatshme për t’u kultivuar edhe në vazo.

Ato zakonisht rriten në një lartësi prej 3 deri në 8 metra, në varësi të vendit ku janë kultivuar.

AgroWeb.org në këtë artikull iu njeh më tepër me mënyrën e mbjelljes dhe kujdesin qe duhet të tregoni për këtë lule.

Kultivimi në kopësht
Kur të mbillni këtë lule në kopështin tuaj, duhet të dini se ajo kërkon të qëndrojë në hije të lehtë. Kështu do të mund të mbrohet nga rrezet e ashpra të mesditës.

Gardenia ka nevojë për qarkullim të mirë të ajrit, prandaj mos i mbillini rrënjët e saj shumë pranë njëra-tjetrës.

Nëse jetoni në vende të ftohta, mbilleni atë në një vend ku është e mbrojtur nga ngricat dhe erërat e forta të dimrit.

Koha më e përshtatshme për mbjellje është vjeshta, sepse i jep rrënjëve më shumë kohë për të zenë vend.

Gardenia kërkon një tokë të pasur me lëndë organike dhe me kullim të mirë.

Ajo pëlqen një tokë të lagësht dhe kërkon ujtje rreth një herë në javë.

Para krasitjes, sigurohuni që varieteti që po rrisni lulëzon vetëm një herë dhe ka përfunduar ciklin e lulëzimit.

Nëse lulëzon më shumë se një herë, krasitini lulet e venitura pak më poshtë nyjës së gjetheve, për të inkurajuar lulëzimin.

Kultivimi në ambientet e brendëshme
Gardenia nuk është një bimë për tu kultivuar në ambiente të mbyllura. Megjithatë nëse trajtohet në mënyrën e duhur, shpesh ajo lulëzon në fund të pranverës dhe përsëri në vjeshtë.

Kur bëhet fjalë për përdorim të brendshëm, do të jetë e vështirë tu jepni bimëve dritë dhe lagështi të mjaftueshme për të prodhuar sythat e luleve.

Prandaj rekomandohet t’i vendosni në një dritare me pamje nga jugu. Aty ato do të mund të marrin të paktën katër orë dritë dielli çdo ditë, dhe jo diellin e fortë të mesditës.

Mbajeni dheun e lagësht në mënyrë të njëtrajtshme, por mos e mbingarkoni me ujë.

Gardenia mund të jetë toksike për macet dhe qentë nëse gëlltitet. Prandaj sigurohuni që ta vendosni në një vend të paarritshëm nëse keni kafshë shtëpiake.

Ushqeheni bimën çdo dy javë, me një pleh që përmban mikroelementë, veçanërisht hekur. Mungesa e hekurit ose një dhe shumë alkalin mund të zverdhë gjethet./AgroWeb.org

MË TË LEXUARAT

To Top