Uthulla e mollës është e pasur me kalcium, magnez, potas, fluor, hekur, fosfor, vitamina A, B1, B2, B6, C dhe E, acid acetik, pektinë, beta-karoten etj, një eleksir i vërtetë vlerash ushqyese për trupin, lëkurën, flokët, mirëmbajtjen e shtëpisë dhe higjienës personale. Duke qenë se në treg mund të gjeni varietete të ndryshme mollësh me çmime shumë ekonomike, përse të mos përgatisni vetë këtë pije magjike që do t’ju shërbejë shumë gjatë verës e në vazhdim.
Në videon e mëposhtme do të mësoni si të bëni uthullën e mollës në shtëpi pa shumë lodhje e harxhime.
PËRGATITJA: Merrni 1 kg mollë (ose sipas dëshirës), lajini dhe pritini në copa me madhësi mesatare. Shtoni një lugë kripë në një tas me ujë dhe lini mollët për 5 minuta. Në një kavanoz të pastër qelqi shtoni fetat e mollës direkt nga uji dhe shtoni 150 gr sheqer, dy lugë gjelle me uthull të bardhë dhe ujë derisa të mbushet kavanozi. Mbyllni kavanozin hermetikisht dhe lëreni në një vend të errët për 2-3 javë. Hapni kavanozin pas kësaj periudhe, filtroni lëngun dhe lëreni për 6 javë tjera derisa të marrë ngjyrë kafe dhe shije acide.