Dikur kishte qenë depozitim mbeturinash, e tani banja e Dobërçanit është vendi ku qytetarët vendës e të huaj gjejnë shërimin e shumë sëmundjeve.
Nexhat Ibishi tregon se vëllai i tij i cili jetonte në Zvicër u kthye në vendlindje ku edhe ndërhyri estetikisht në këtë hapësirë, e cila gjatë sezonit të nxehtë pranon pothuajse afër 300 vizitorë brenda ditës.
Të mirat e ujit janë dëshmuar edhe përmes analizave që i janë bërë, e që efektet e saj janë në shërimin e reumës, infeksioneve, alergjive, sëmundjes së lukthit e shumë të tjera.
Efektet e mira të ujit kanë tërhequr vizitorë nga vendet e largëta, gjë që ka shtyrë vëllezërit Ibishi të mendojnë edhe për akomodimin e tyre.
E pikërisht nga banja e Dobërçanit, një 7-vjeçareje nga Turqia iu kthye shikimi. E një djaloshi tjetër nuk kishte më nevojë për karrocën ndihmëse.
Selami Hoti është mërgimtari nga Gjilani, i cili në momentin që vjen në Kosovë, rezervon disa ditë edhe për banjën. E për Adem Zukën ky është viti i parë që e frekuenton banjën, por aty e gjeti shërimin bashkëshortja e tij.
Përpos akomodimit e trajtimeve që mund të merren brenda ditës në banjë, një hapësirë është e ndarë veçmas ku qytetarët mund t’i mbushin bidonët me ujin shërues nga Dobërçani i Gjilanit.