Për dy prindër adoptues është i vështirë momenti kur duhet ta përballin krijesën që e kanë rritur me dashuri me të vërtetën e origjinës, siç është rasti i prezantuar këtë herë në “E diela shqiptare” në Tv Klan.
Selvia dhe Ziniu nuk e patën aspak të lehtë këtë moment, për të cilin siç rrëfyen në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nuk ia bënte zemra t’ia thoshin të birit. Gëzimi, djali, e mori vesh të vërtetën nga një bisedë në kafene, rreth një vit më parë dhe përjetimi i tij nuk ka qenë i lehtë për asnjë nga palët.
Selvi: Xhimi ne na u duk sikur u ftohën një çikë gjërat se neve Xhimi nuk po na thërriste as mami, as babi më. Nejse, ai ashtu e ka përjetuar, nuk e di, mua më thotë Selo, Ziniut i thotë Zino, nuk ka problem.
Ardit Gjebrea: Që nga momenti që e mori vesh, ai ka një vit e pak që nuk ju thërret më mami e babi?
Selvi: Jo, jo s’bëhet fjalë.
Por për të dy ata kjo nuk është pjesa më e rëndësishme. Ajo çfarë ka rëndësi është bindja e tyre në dashurinë e Gëzimit për ta dhe mendojnë se janë edhe arsyeja pse ai nuk ka shkuar në emigrim. Gjithsesi, në zemrën e dy prindërve fle një brengë për djalin e tyre.