Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në Twitter është shprehur se aplikimi i fashës 800 khw do të nisë pas javës së parë të nëntorit, me arsyetimin se ka rënë niveli i Fierzës për shkak të mungesës së reshjeve. Megjithatë, ministrja shton se do të analizohet sërish situata para vendosjes së fashës.
“Faturimi i energjisë nis pas javës së 1 të muajit. Me një situatë jo të mirë hidrike, kur niveli i Fierzës është më pak se 268m, por me pritshmëri për prurje më të mira në vazhdim & bazuar në uljen 6.2% të konsumit, do të analizojmë cdo detaj, para vendimit për fashën mbi 800kwh”, shkruan Balluku.
Ndërkohë, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar si lajm të rremë të medias dhe opozitës.
“Opozita e Rublave e mediat e saj po u thonë sot shqiptarëve se Qeveria ka deklaruar rritjen e çmimit të energjisë në 1 nëntor! Një lajm dyfish i rremë: Kemi 14 muaj që themi çmimi do mbrohet siç po mbrohet dhe s’e kemi deklaruar kurrë diçka të tillë! Pse e bëjnë? #DavaRublash”, shkroi një ditë më parë kreu i qeverisë në Twitter.
Po ashtu, para disa ditësh, Enti Rregullator i Energjisë njoftoi se aplikimi i fashës do të niste më 1 nëntor.