Marin Mema është pa dyshim një nga gazetarët shqiptarë më të preferuar nga publiku. Veç profesionit të tij si gazetar, ai është edhe një personazh shumë i angazhuar në shoqërinë civile në vendin tonë, duke protestuar shpesh për problemet që prekin vendin tonë e duke kërkuar zgjidhje. Gjithashtu, ai njihet edhe si një person që ndërmerr shpesh fushata bamirësie, për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Së fundmi, gazetari shqiptar ishte i ftuar në programin e mëngjesit në Top Channel, ‘Wake Up’, ku tregoi me emocione historinë e dy fëmijëve të varfër që nuk kishin shtëpi dhe se si për 5 ditë, shqiptarët u bënë së bashku për t’i siguruar një shëpi në Librazhd.
‘Këta dy fëmijë ishin të fundit të mbetur, të cilët nuk kishin mundësi arsimimi. Dhe duke mos patur këtë mundësi, ata nuk dinin të shkruanin e të lexonin, që është e llah tarshme ta mendosh pasi jemi në shekullin e 21-të. Fëmijët ishin 6 vjeç e gjysmë dhe në atë moment, ishte e natyrshme që u preka fort dhe duhet të bëjmë diçka për këta fëmijë për t’u ndryshuar.
Duhet të kuptojmë se sa pak duhet që të ndryshojë jeta e një fëmije. Nëse ti e lë në terr, mund të marrë një kahje jeta e tij. Dhe ne hapëm një fushatë për të mbledhur një fond për t’i dhënë një mundësi këtyre fëmijëve të arsimohen, duke i shpërngulur në një shtëpi të re. Ata kanë edhe dy prindër invalidë, gjyshja merrej me ta.
Për 4-5 ditë ia kemi arritur dhe mendojmë e besojmë se së shpejti do të nisim punën për t’i bërë një shtëpi të re, për t’i parë ata dy djem të shkojnë në shkollë e t’i japin një udhë jetës së tyre. Ishin ndjekës nga jashtë vendit ata që ndihmuan dhe që kanë akses në GoFundMe që është një formë e thjeshtë dhe transparente për të mbledhur fonde.
Janë mbledhur për 5 ditë 37.567 dollarë, që është një shumë e mjaftueshme për të ndërtuar një shtëpi të re. Dy djemtë do të kenë një jetë të re dhe shtëpia do të jetë në Librazhd’ – tregoi në emisionin e mëngjesit ‘Wake Up’ në Top Channel, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema.