Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë nga spitali ku po trajtohej pas një ndërhyrje kirurgjike. Për Gazetën Express, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina ka thënë se ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
“Presidentja Osmani me rekomandimin e mjekëve, sonte është liruar nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, ka thënë ai për gazetën.
Kupina ka thënë se Presidentja Osmani do ta vazhdojë marrjen e terapisë në banesën e saj deri në shërim të plotë.
Gjithashtu, ka sqaruar se detyrat e saj, presidentja do të vazhdojë t’i kryejë nga banesa. “Ajo po e vazhdon terapinë në banesën e saj prej nga po i kryen detyrat dhe përgjegjësitë e presidentes”, ka thënë ai.
Presidentja i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike për heqjen e tëmthit më 2 nëntor.