Ilir Mustafaj ka 30 vjet në emigrim. U largua nga Vlora, adoleshent, ndërsa tani ka ndërtuar familjen e tij në Itali. Atje punon si shofer kamioni, zanat i shumë shqiptarëve nëpër botë, të cilët janë bërë bashkë në një grup, për të cilin Mustafaj, kishte dëshirë të tregonte në Dritare TV.
Në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Mustafaj, foli për punën e tij, vështirësitë e zanatit dhe mbështetjen që kanë treguar shoferët shqiptarë anë e mbanë botës, për njëri-tjetrin.
“Unë jam larguar 20 vjeç nga Shqipëria. 30 vjet i kam kaluar në emigrim. Zanatin e mësova nga vëllai. Dikur profesioni i shoferit, kishte goxha të ardhura, kështu nisa të punoja në këtë zanat.
Unë bëj pjesë në një grup kamionistësh, të cilin e kemi themeluar që në 2018. Ne jemi kamionistë nga e gjithë bota, që komunikojmë me njëri-tjetrin. Unë punoj vetëm në zonën e Lombardisë. Ka edhe kamionistë që vijnë nga Shqipëria, punojnë për disa muaj, mbledhin të ardhura dhe kthehen. Kjo ndodh përmes kësaj skeme: pronarët shqiptarë që janë në Itali, hapin një zyrë pune në Shqipëri dhe me anë të asaj zyre krijojnë kontrata pune disa mujorshe.
Paratë sot në fakt janë një problem në të gjithë botën. Megjithatë ka një diferencë. Në Shqipëri një kamionist që niset të bëjë një rrugë, merr 300 euro. Rruga mund të zgjasë një javë. Ndërsa unë i marr për tre ditë.
Fatmirësisht kohët e fundit në Itali janë shuar shumë pronarët shqiptarë. Kështu janë hapur edhe mundësitë për të ndihmuar ata që duan të largohen nga Shqipëria, që nuk ia dalin dot me pagën atje.
Ka edhe një gjë, nëse shqiptari futet në punë këtu, është shumë i përgjegjshëm. Në Shqipëri nuk është njësoj, sepse varet nga paga. Në Shqipëri merr pak para”, u shpreh Mustafaj në Dritare TV.