Mungesa e fëmijëve ndihet sidomos në zonat rurale. Top Channel mëson nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit se këtë vit shkollor janë rreth 21 000 fëmijë të moshave të ndryshme që zhvillojnë mësim në klasa të bashkuara.
“Unë jam në klasë të tretë, unë në klasë të katërt . Ne bëjmë mësim bashkë… jemi 11 veta në klasë, 6 të klasës së tretë, 4 të klasës së katërt dhe 1 i klasës së 5”, thanë nxënësit.
“Ka pak fëmijë.. kanë ikur!”, u shpreh një prind.
Shkolla e fshatit Allgjatë është rindërtuar pas tërmetit, por në krahasim me ndërtesën e mëparshme duket se është zvogëluar, si pasojë e tkurrjes së numrit të nxënësve. Ky institucion arsimor ka kaluar në varësi të shkollës së Lalmit, për shkak të uljes së numrit të nxënësve nën 80 si kusht për të pasur drejtor.
“Kjo shkollë ka qenë 9-vjeçare. Tani ka ngelur veç fillore. Si mos më keq. Gjendje e mjerueshme!”, tha Aleksandër Skendaj, banor i fshatit.
Sot në shkollën Allgjatë kanë mbetur vetëm dy klasa të bashkuara të arsimit fillor me nxënës që numërohen me gishtat e dorës, të cilët tregojnë se edhe pse të pakët në numër mësimdhënia në grup është e mangët.
Prindërit gëzohen se të paktën shkolla e fshatit vijon të jetë e hapur, por kur njohuritë bazë të fëmijëve të tyre janë të cunguara, në një kohë kur zhvillimi ecën me ritme të shpejta, e ardhmja e këtyre nxënësve dhe shumë të tjerë si ta nëpër Shqipëri, rrëshqet në terr.