Ngrënia e rregullt e kumbullave rrit ndjeshëm dendësinë minerale të kockave. Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org u përqendrua tek roli i ngrënies së kumbullave në shëndetin e kockave të grave.
Gratë që morën pjesë në studim u ndanë në dy kategori. Në kategorinë e parë morën pjesë gratë që konsumonin kumbulla rregullisht. Në të dytën, morrën pjesë gra që konsumonin mollë rregullisht. Të dyja grupet merrnin gjithashtu kalçium dhe vitamin D.
Studiuesit u shprehën se kumbullat kanë aftësinë të pengojnë frakturat dhe dobësimin e kockave. Ata rekomandojnë ngrënien e dy deri në tre kumbullave në ditë, një sasi që duhet rritur më vonë në 6 deri në 10 kumbulla në ditë.
Sipas studiuesve kumbullat e njoma por edhe ato të thata janë të sigurta për konsum për të gjitha grupmoshat. Kumbullat kanë aftësi të jashtëzakonshme për të ushqyer dhe mirëmbajtur kockat.
Kumbullat kanë një efekt laksativ dhe pastrues për të gjithë sistemin tretës. Ato janë plotësisht të rekomandueshme kundër konstipacionit.
Një racion me kumbulla ofron 2.5 gramë proteina dhe plotëson 13% të kërkesave tuaja ditore për hekur. Ky mineral është i dobishëm kundër anemisë dhe për qarkullimin e duhur të gjakut.
Por le të kthehemi tek shëndeti i kockave dhe roli i kumbullave të thata. Një sasi prej 3-4 kumbullash ofrojnë 290 mg kalium.
Ky mineral është i një rëndësie të madhe sepse neutralizon acidet e dëmshme që shterojnë dendësinë kockore. Këto acide i gërryejnë kockat me shpejtësi dhe kaliumi shërben për t’i penguar ato.
Për më tepër, kaliumi shërben për të ruajtur sasitë e kalçiumit në trup dhe pengon nxjerrjen e tij nëpërmjet urinës.