Ditën e sotme u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare Kasëm Hysenbelliu, biznesmeni dhe pronari i medias Fax News, i cili nuk mundi ta fitonte bete jën me COVID-19.
Përmes një postimi të ndjerë, vëllai i tij Irfan Hysenbelliu shpreh falenderimet për të gjithë të afërmit dhe miqtë që i janë bashkuar dhimbjes së familjes, ndërsa shprehet se do të jetë në mbështetje të plotë të fëmijëve të vëllait të ndjerë për të çuar përpara aspiratat e tij.
Mesazh i Irfan Hysenbelliut, për ndarjen nga jeta të vëllait Kasëm Hysenbelliu: Të dashur miq dhe të afërm të familjes Hysenbelliu, kolegë dhe bashkëpunëtorë të vëllait tim të ndjerë!
Një falenderim kolektiv për të gjithë ju do të ishte shumë pak, për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë mesazhet e ngushëllimit dhe mbështetjes që na keni ofruar në këtë ditë dëshpërimi. Situata që po kalojmë më detyron t’ju drejtohem publikisht e t’ju kërkoj ndjesë që s’mund të komunikoj dot me secilin prej jush.
Sot familja humbi Kasëmin, në një dhimbje që s’mund të përshkruhet me fjalë: ne humbëm djalin e përkushtuar e babain model, bashkëshortin ideal e vëllain e pazëvendesueshëm, xhaxhain e dajën e dhimbsur, një njeri zemërbardhë. Ju, në një solidaritet unikal, na treguat se Kasëmi s’ishte vetëm “familjari model” por edhe një shok e mik i çmuar, drejtues i aftë, koleg e bashkëpuntor i vyer, njeri vizionar e i përkushtuar, mik i të gjithëve. Faleminderit nga zemra secilit prej jush! U prehtë në paqe!