Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, thotë se piku i valës së dytë të pandemisë Covid-19 në vendin tonë nuk ka mbërritur ende.
Tomini ka deklaruar se edhe në javët në vijim do të ketë një tendencë në rritje të rasteve me Covid. Si paraqitet situata dhe a e kemi arritur pikun e pandemisë?
Eugena Tomini: Aktualisht situata e pandemisë në vend po përvijon me një intensitet të lartë të rasteve të konfirmuara, pra kemi një trend të rritur të rasteve Covid në vend. Kjo ishte ndër projeksionet e Institutit të Shëndetit Publik përsa i përket edhe stinës së Dimrit dhe qarkullimit edhe të infeksioneve të tjera respiratore paralelisht me Covid. Por duhet të theksojmë se jemi ende herët për të diskutuar në drejtim të pikut, sepse edhe në javët në vijim do të kemi një tendencë në rritje të rasteve Covid-19.
Si ka ndikuar gripi sezonal në pasojat që janë vërejtur tek pacientët e prekur me Covid-19?
Eugena Tomini: Aktualisht kemi që në javën e 40 që ka filluar survejanca e gripit në vend dhe aktualisht në rastet që janë evidentuar si raste të dyshuara për Covid apo për raste të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, deri në këto momente nuk është konfirmuar asnjë rast grip në vend. Por kemi një intensitet të ulët të rasteve të infeksioneve respiratore të sipërme dhe infeksioneve respiratore të poshtme.