Lajme

”Fëmijë që shesin te Liqeni dhe njerëz që nuk e kthejnë kokën!”

Nga Etleva Kondakçiu:

Ja, donin të shisnin këto produktet artizanale dhe këto tufat e çajit që unë ua kam blerë njerëzve në rrugë, kryesisht ca plakave shumë të vjetra në moshë, që më janë dukur se jetojnë me lekët që nxjerrin prej tyre.

Me lekët që mendonin se do nxirrnin duan që një pjesë të zyrës sime ta bëjnë një tip ambienti për fëmijët më të vegjël të lagjes. Kanë ndarë edhe rolet. Dikush do shërbejë lëngje frutash, dikush do kujdeset për fëmijët, dikush do t’u organizojë lojrat dhe dikush do lajmërojë mamin ose babin kur fëmija e tyre do bëjë çi çin ose … e kuptoni vetë ju. Dhe kështu duan që të blejnë një tapet shumë të trashë për ta shtruar atë pjesë se ftohen kalamajtë.

U nisën gjithë qejf nga zyra ime, po sa më shumë i afroheshim liqenit, aq më shumë u hynë emocionet.
– O ma, po unë kam tu rp.
– Dakord, kthehemi.
– Jo, jo, dua t’i shes, por kam tu rp. Të paktën shkojmë diku ku nuk ka edhe shumë njerëz.
– Ulemi te ky stoli këtu.
– Jo, jo, tek ai më tutje.
– Pse jo te bari?
– Vajza, po ju jap katër minuta kohë. Po largohem pak, diskutoni të treja dhe më thoni.
Dhe u ulën më në fund. I shtruan të gjitha aq bukur sa mundën dhe po prisnin gjithë ankth. I studionin njerëzit nga larg, duke u munduar të shquanin ndonjë fije kurioziteti apo interesimi. Unë vendosa të ulem larg, aq larg sa thjesht mund t’i shihja.

Dikur, njëra erdhi aq me vrap drejt meje sa gati u rrëzuar “O ma, o ma, kaluan dy plaka. Ndaluan, na pyetën dhe na thanë “Bravo!” Më duket se nuk kishin lekët blinin, po neve na erdhi t urp se do ia kishim dhënë edhe pa lekë!”

Këto ishin të vetmet që ndaluan në atë mori njerëzish të shumtë, mes të cilëve një pjesë e mirë dukeshin të veshur mirë, të krehur dhe duke tërhequr prej litari ndonjë qen të vogël ose të madh.
– Ma, si ka mundësi që nuk ndalon asnjeri?! Ata as nuk na shohin!

Po pra, si ka mundësi? Si ka mundësi që të mos jesh as kurioz? Fëmijë që shesin në rrugë janë ose fëmijë që shesin nga halli, ose nga qejfi. Në rastin e parë, ti ndalon për njerzillëk. Në mos blen, të paktën u jep pak ngrohtësi. Nëse janë nga këta të dytët, që kanë dalë për qejf, ti prapë ndalon. U thua një fjalë inkurajuese për iniciativën.
Si ka mundësi gjithë kjo indiferencë, kjo mungesë totale ndjeshmërie?/dritare.net

MË TË LEXUARAT

To Top