Leximi

I mban si kafshë shtëpiake/ Njihuni me shqiptare që ka gjarpërinj dhe hardhuca, ka mbi 30 në shtëpi

Nga ZHAKLIN LEKATARI

Kondelinën e njoha nëpërmjet Instagramit falë disa komenteve, miratimeve apo përgjigjeve gazmore nëpërmjet të cilave filluam komunikimin. Më pas, me kalimin e ditëve, ndonëse të pakta në numër, vura re, po në Intagramin e saj, setin fotografik të një zvarraniku që e shijonte jetën për 7 palë qejf, duke bërë SPA. Aty fillova të bëhesha kurioze dhe zbulova që Kondelina, është një vajzë interesante në të gjitha drejtimet, “një ish fëmijë i bullizuar e kthyer në adulte cool” – thotë ajo; por jo vetëm aq, dhe me një sens të spikatur humori dhe përgatitjeje intelektuale. E nuk mund të ishte ndryshe, sepse ajo është vajza e prindërve diplomat, dhe për këtë arsye ajo e ka jetuar pak Shqipërinë dhe shumicën e kohës është shkolluar jashtë shtetit.

Sot, Kondelina punon si kontraktore e kompanisë Shell në Amsterdam, inxhiniere testi për karikuesit e makinave me rrymë direkte dhe tension të lartë. Ajo i ka dashur gjithnjë kafshët, dhe për një kohë mori në konsideratë dhe të bëhej veterinere, por kur kuptoi që nuk do të mund t’i bëntë gjilpëra kafshëve qoftë dhe për t’i shëruar, ajo ndërroi plan. Sipas Kondelinës, bota e software ishte zgjedhja më logjike për të, megjithatë pa lënë mënjanë dashurinë për kafshët,sidomos zvarranikëve.

Plani i Kondelinës është që të fitojë statusin non-profit në Holandë, për të krijuar një strehë për zvarranikët që njerëzit nuk duan ose nuk mbajnë dot më.

“ Pas stabilizimi fillestar të strehës do të doja të ofroja programe edukative për njerëzit që kanë interes të mësojnë më shumë, ose që duan të marrin një zvarranik si kafshë shtëpiake. Më vonë do të doja gjithashtu të krijoja një projekt për veterinerët shqiptarë dhe të rajonit që ata të mund të vijnë të fitojnë eksperiencë me zvarranikët. Mikesha ime veterinere në Greqi, por dhe profesorëve të cilëve ia ka propozuar si ide, kanë reaguar shumë pozitivisht, sepse nëse njerëzit duan të mbajnë zvarranikët si kafshë shtëpiake duhet të kenë mjetet e duhura, por dhe mbështetjen e duhur nga profesionistët, veterinerët ne këtë rast.” – thotë ajo. Prandaj, nëse dhe ju u bëtë kureshtarë të zbuloni më shumë rreth zvarranikëve dhe Kondelinës, lexoni intervistën që i kemi bërë në Living.

1.Kur ke filluar të kesh interes për zvarranikët ose hardhucat ?

Gjithmonë i kam pëlqyer zvarranikët, edhe kur isha e vogël, isha e magjepsur nga dinozaurët. Në kohën që vajzat në moshën time luanin me kukulla ose make up, unë kisha një koleksion dinozaurësh dhe lexoja çdo gjë që mund të gjeja për ta. Gjithmonë mendoja që do ishte interesantë të kisha një zvarranik si kafshë shtëpiake, por deri sa u bë realitet nuk e dija vërtet nëse do të ishte e mundur. Kur isha 10 vjeç pata ndërveprimin e parë me një gjarpër, kur isha me pushime dhe më pëlqeu shumë. Ishte një piton burmez bivittatus, nuk ishe ende i rritur plotësisht.

2.Kur fillove të marrësh informacionet e para rreth tyre dhe si vendose të marrësh një ?

Kur u largova nga shtëpia e prindërve, qeni im mbeti me ta dhe më mungonte të kisha një diçka me të cilën mund të merresha. Pasi u mendova për ca kohë, arrita në përfundimin që nuk kisha aq kohë në dispozicion për t’u kujdesur për një qen ose një mace, kështu që partneri im sugjeroi një zvarranik si kafshë shtëpiake. Kështu fillova duke kërkuar në internet, pashë video në YouTube për përkujdesjen e zvarranikëve si kafshë shtëpiake dhe ato që sugjerohen për fillestarët dhe kështu vendosa që një zvarranik do të ishte një shtesë perfekte për shtëpinë tonë. Gjarprin e parë Snoot, e bleva në 9 qershor të vitit 2021, 5 ditë pas datëlindjes time .

3.Si quhej/quhet hardhuca jote e parë dhe si vendose ta marrësh ?

Në fakt ne morëm dy hardhuca, Flapjack dhe Maple. Kishim 2 gjarpërinj në atë moment dhe unë doja një bearded dragon/pogona vitticipes, kështu që kisha kohë që po lexoja për përkudesjen dhe dietën e tyre. Flapjack dhe Maple i gjetëm në versionin Holandez te Craiglist, nga dikush që i duhej të kthehej në shtëpinë e vet dhe nuk mund t’i merrte me vete. Kështu që na i dha hardhucat dhe terrariumin dhe çdo gjë që kishte për to.

4. A duhet të kenë kushte specifike zvarranikët që të merren si kafshë shtëpiake ?

Po, duhen kushte të veçanta për çdo specie. Variablat që ndryshojnë janë drita, temperatura dhe lagështira. Disa zvarranikë duan kushte të thata me shumë dritë, dhe nivele të larta UV, kurse disa duan kushte me lagështirë dhe me nivel më të ulët UV, por janë dhe specie që janë në mes të këtyre. Përveç këtyre, terrariumi duhet të jetë në madhësinë e duhur që të ketë një gradient temperature që zvarraniku të ketë mundësinë të rregullojë temperaturën e trupit sipas nevojës, meqë nuk e prodhojnë nxehtësi trupore vetë dhe janë të varur nga temperature e ambientit.

5.Po ti në shtëpi duhet të kesh kushte te veçanta që të kujdesesh për ta?

Jo, sepse ata kanë ekosistemin e tyre në terrarium, por meqë hardhucat vrapojnë të lira nëpër shtëpi, më duhet të fshij dyshemenë më shpesh që të mos mbledhin pluhur në bark.

6.Sa zvarranikë ke në shtëpi ?

Në këtë moment kemi 32 zvarranikë në shtëpi. Shumica kanë ardhur nga njerëz që nuk mund të kujdeseshin më për ta.

7. A mund të qëndrojnë ata me njëri-tjetrin, është ky një faktor të cilin e merr në konsideratë që në fillim?

Disa munden, shumica jo. Disa specie janë provuar që jetojnë më mirë kur kanë “shok” të së njëjtës specie, kurse disa specie e kanë dietën të tillë që hanë njëri-tjetrin. Në përgjithësi, nëse nuk e njeh specien mirë, nuk duhet t’i vendosësh të bashkëjetojnë. Për shembull: garter snakes/thamnophis sirtalis jetojnë në grupe shoqërore në natyrë dhe ka studime që tregojnë që ata krijojnë shoqëri më njëri-tjetrin dhe kjo specie rekomandohet të bashkëjetojë. Në anën tjetër kemi dhe king snakes/ specia lampropeltis, dieta e të cilëve në natyrë janë gjarpërinjtë dhe madje ata të së njëjtës specie. Këta nuk mund të bashkëjetojnë.

8.Çfarë hanë zvarranikët dhe a është e lehtë të kujdesesh për ta?

Gjarpërinjtë hanë pre të plotë që vjen e ngrirë dhe shkrihet kur është dita e ushqimit. Duhet të jetë në masën e duhur për ta që të mos dëmtohet sistemi tretës. Hardhucat hanë insekte dhe bimë. Gjithmonë ndodh që është ndonjëri që ka vështirësi në ushqim, çfarë ha, kur dhe si e ha. Hardhucat për shembull duan vetëm insekte të gjalla, kështu që duhet të ushqej dhe të mbaj të shëndetshëm insekte të ndryshme për to, në mënyrë që të kenë sa më shumë vlera ushqyese. Bimëve duhet t’iu hedh suplemente kalciumi dhe vitaminë D sipër, për ta kompensuar mungesën e diellit të fortë këtu. Ata nuk bëjnë shpesh jashtëqitje si gjitarët dhe zogjtë dhe kjo është padyshim një pikë plus, por temperature dhe niveli i UV duhen monitoruar rregullisht që të mos ketë zhytje në nivele. Llambat që i japin dritë UV duhen ndryshuar rregullisht sepse çdo muaj që kalon ulet niveli i UV që nxjerrin. Meqë tretja e zvarranikëve është 100% e varur nga temperatura e ambientit, ajo duhet të jetë sa më e qëndrueshme.

9.Jemi mësuar që të shohim vetëm gjitarët si kafshë shtëpiake dhe të kemi një raport me ta, vlen e njëjta dhe për zvarranikët ?

Truri i gjitarit dhe zvarranikut ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Zvarranikët kanë një tru më të “vjetër” se sa gjitarët dhe kanë strukturë më bazike. Ata mund të mos kenë të njëjtat zona si gjitarët që kanë ndjenja ndaj pronarin, por ata ndiejnë një sens sigurie kur ndiejnë erën e pronarit. Personalisht mund ta dalloj me të gjitha kafshët e mia. Ato kanë krijuar një lidhje me mua dhe vijnë vetë kur e vendos dorën në terrariumin e tyre dhe më besojnë kur unë u nxjerr nga terrariumi dhe i lejoj të më kacavirren në trup. Këtu hyn në lojë dhe fakti që gjitarët kanë qenë shoqëruesit tanë për shumë vjet, kanë pasur shansin të evoluojnë me ne, kurse zvarranikët janë në përgjithësi krijesa të vetme. Qentë për shembull kanë mësuar të kopjojnë shprehjet e fytyrës së njerëzve, aq gjatë kanë qenë shoqërues të tyre. Zvarranikët nuk kanë shprehje në fytyrë, duken si të çuditur gjithë kohës ose sikur po të gjykojnë, kështu që duhet të mësohesh të lexosh gjuhën e tyre trupore. Për shembull hardhucat ndërrojnë ngjyrën me humorin, kur e kanë mjekrën e zezë, janë ose me nerva ose duan të tregojnë dominim, kur e kanë mjekrën me ngjyrën e njëjtë të ngjyrës së tyre, atëherë janë të relaksuar ose të lumtur.

10. Sa gjatë jetojnë zvarranikët?

Varet nga lloji. Sa më i avashtë metabolizmi, aq më gjatë jetojnë në përgjithësi. Nje corn snake/pantherophis guttatus mund të jetojë 15-20 vjet, por një boia deri në 30-40 vjet, por ka dhe specie që kanë jetuar deri në 60 vjeç. Breshka mund të jetojë më shumë se 100 vjet. Hardhucat pogona jetojnë 15-20 vjet. Ka specie që jetojnë dhe më pak si për shembull, kamaleonët, jetojnë maksimumi 10 vjet.

11.Në vendin ku jeton ka veteriner që kujdeset për ta apo është një specialist specifik?

Ne shkojmë te një veteriner që është specialist për kafshët ekzotike, me specializim të mëtejshëm për zvarranikët. Për urgjenca, veterineri në qytetin tonë është specializuar për zogj, por meqë zogjtë kanë rrjedhur nga zvarranikët, ai ka njohuri të përgjithshme për ta.

12. A përjetojnë gëzim dhe lumturi zvarranikët? E dallon ti atë?

Personalisht mendoj që po. Mund ta dalloj me hardhucat, sidomos me Flapjack. Ai tund kokën në mënyra të ndryshme, ka tundjen e dominimit, tundjen me nerva dhe tundjen e lumtur. Sa më e ndritur mjekra gjatë tundjes, aq më i lumtur është Flapjack. Kur unë e vendos në kolltuk ose në krevat, bën tundjen e lumtur dhe e ka mjekrën portokalli të ndezur, kurse kur i tregon epërsi Maple, bën tundjen e dominancës dhe e ka mjekrën e zezë.

13.Ka dicka tjetër që nuk kam pyetur dhe do të shtohsh?

Instagrami dhe Tik Tok i bën të duken këto kafshë si një opson i mirë për njerëzit që nuk mund të kenë qën ose mace, por këto janë një lloj kafshe jo e përshtatshme për çdo njeri. Nuk janë përkëdhelëse si gjitarët. Duan edhe pre të plotë, d.m.th duhet të hanë brejtës, ose zogj të plotë që janë të shëndetshëm dhe pa parazitë. Ka njerëz që i ushqejnë me pre të gjallë, gjë që nuk do ishte mirë të bëhej sepse është mizore ndaj presë. Pretë normalisht janë të ngrira dhe shkrihen pak para kohës së ushqimit për të shmangur rritjen e bakterjeve. Edhe kjo mund të duket si mizore, por mos harroni që njerëzit hamë mishin e kafshëve që rriten në kushte fabrike. Hardhucat omnivore apo insetovore duan insekte dhe kjo do të thotë që duhet ta gjesh dikë që ka insekte të shëndetshme dhe pa parazitë. Ka njerëz që i ushqejnë me pre të gjallë por nuk rekomandohet sepse hardhucat omnivore ose insektovore duan insekte dhe kjo do të thotë që duhet të gjesh dikë që ka insekte të shëndetshme dhe pa parazitë, njësoj si për gjarpërinjtë.

Megjithatë pa pasur kushtet e dhe mjetet e sakta për të krijuar ambientin e duhur me temperaturën, lagështinë dhe nivelet e UV, nuk duhet të konsiderosh të marrësh një zvarranik, sepse pas pak kohësh në kushte të papërshtatshme ai zvarranik do të sëmuret dhe do vuajë. Një gjë tjetër që shpesh edhe këtu në Evropë harrohet është që këto kafshë rriten gjatë gjithë jetës së tyre. Disa rrinë deri në 1.5 metra të gjatë, por disa mund të shkojnë deri në 5 metra ose më shumë. Ti mund të blesh një gjarpër që është sa një laps, por pas një viti do kesh një konstriktor që është 2 metra dhe vetëm muskuj. Duhet të dish specien e saktë që t’i ofrosh madhësinë e duhur të terrariumit dhe do të mund të planifikosh dietën dhe madhësinë e ushqimit që i duhet në të ardhmen. Të njëjtat gjëra vlejnë për të gjitha llojet e kafshëve, prandaj mos merrni kafshë për të cilat nuk mund të kujdeseni.

MË TË LEXUARAT

To Top