Lajme

Lajm i mirë! Franca është pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Burime zyrtare të Bashkimit Europian kanë përgënjeshtuar informacionin se Franca kushtëzon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas këtyre burimeve, Franca është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ashtu si dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.

“Rezulton, se aktualisht nuk ka asnjë shtet anëtar të Bashkimit Europian kundër liberalizimit të vizave për Kosovën”, janë shprehur burimet zyrtare të BE-së për ABC.

Sipas tyre, keqkuptimi lidhet me modalitetet që nevojiten të diskutohen më tej në grupin e punës për vizat të Këshillit të Bashkimit Europian në kuadër të vendimit për liberalizimin e vizave me vende të treta dhe konkretisht me Kosovën. Këto burime kanë shpjeguar, se nuk bëhet fjalë vetëm për Francën por për disa shtete anëtare, që kërkojnë përfshirjen e sistemit ETIAS në procesin e liberalizimit të vizave.

“E njëjta procedurë është ndjekur për Kuvajtin dhe Katarin, pra nuk është një çështje specifike që lidhet me Kosovën, pasi sistemi ETIAS hyn në fuqi vitin e ardhshëm”, kanë shpjeguar këto burime.

Sistemi ETIAS është Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen dhe jo vetem.

MË TË LEXUARAT

To Top