Kjo recetë u përgatit nga Bonbon_taste:
Sa herë që siguroj vezë fshati fshati, kam një listë gatimesh që do i gatuaj patjetër. Një nga këto është dhe tava e kosit.
PËRBËRËSIT PËR 4-5 PERSONA: 1.2 kg mish qingji, 1.2 litër kos shtëpie (mundësisht), 4-5 vezë fshati, 2-3 lugë miell, 1 filxhan kafe oriz, gjalpë, kripë dhe piper.
PËRGATITJA: Kaurdisim mishin e qingjit me pak gjalpë në tenxhere derisa mishi të thajë lëngjet dhe të marrë ngjyrën e skuqjes. Shtojmë ujë derisa të mbulojmë mishin dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta në tenxhere me presion. Në një tas rrahim vezët, 2 lugë miell dhe kosin. Kur masa bëhet kremoze shtojmë lëngun e përftuar nga zierja e mishit rreth 2 gota dhe shtojmë kripë e piper. Në tepsinë ku do pjekim tavën e kosit përhapim në fund 1 filxhan kafeje me oriz. Mbi oriz vendosim mishin e qingjit të zier dhe mbi mish shtojmë masën kremoze me vezë dhe kos. Ca copa gjalpi nuk do “vrisnin” askënd dhe direkt për pjekje në furrë të parangrohur në 200 gradë derisa tava e kosit të ketë marrë këtë pjekjen kaq të bukur sipër sa të ngjan më shumë si krem karamel. Tava e kosit lihet për 15 minuta në qetësi para se të serviret në mënyrë që të serviret bukur dhe me mpiksjen e duhur.