Leximi

Pa shumë mundime dhe pak përbërës/ Ja si të gatuani kek në tigan

Në ditët e nxehta të verës çdo amvisë e di sa e bezdisshme është të përgatisësh gatime në furrë.

Nxehtësia shumë e madhe që vjen nga aty, është një sfidë më vete krahas gatimit të pjatave tuaja të preferuara.

Pavarësisht kësaj po në këto ditë të nxehta, dëshira për të përgatitur sa më shumë pjata të ëmbla e të shijshme është e madhe.

Një kek i mirë me fruta, shoqëruar me ndonjë kupë akullore apo një pije të freskët mund të bëhet vakti i preferuar i pasditeve.

Ndaj në këtë recetë AgroWeb.org ju sjell një nga mënyrat më të thjeshta të përgatitjes së kekut në tigan.

Për të realizuar këtë recetë do t’ju duhet të përdorni pjeshkët, si fruti më i ëmbël dhe i freskët i stinës.

Ndiqni më poshtë hap pas hapi mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete të mrekullueshme.

Përbërësit

2 pjeshkë të mëdha

250gr kos

375 gr miell

3 vezë

60 ml vaj

16 gr fryrës pluhur për ëmbëlsira

gjalpë

sheqer pluhur

Përgatitja
Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni fillimisht një enë të madhe dhe të thellë.

Hidhni në të vezët me sheqerin dhe përzjejini me një rrahës elektrik, derisa të shikoni që vezët janë kthyer në një masë kompakte.

Shtoni po këtu edhe sasinë e kosit duke përzier bashkë me vajin pak nga pak.

Ndërkohë në një enë veçmas me anë të një site të vogël kaloni të gjithë sasinë e miellit bashkë me fryrësin për ëmbëlsira.

Më pas këtë masë të situr mielli, shtojeni pak nga pak tek ena tjetër ku ndodhet kosi me vezët.

Përzieni mirë me anë të një luge derisa i gjithë mielli të mbarojë, duke bërë kujdes që të mos formohen kokrriza tek brumi.

Merrni pjeshkët lajini me ujë të bollshëm dhe pritini në kubikë të vegjël të barabartë.

Shtojini edhe ato tek ena ku ndodhet brumi dhe përzjejini mirë në mënyrë që të përhapen siç duhet.

Më pas vendosni në zjarr një tigan të thellë që nuk ngjit, rreth 22 cm dhe lyejeni me pak gjalpë sipërfaqen e tij.

Pasi të ketë shkrirë mirë gjalpi, fshijeni atë me një letër kuzhine.

Shtoni tashmë edhe të gjithë sasinë e brumit kur tigani të jetë i nxehtë.

Bëni kujdes ta shtroni atë në mënyrë të barabartë në të gjithë sipërfaqen e tiganit tuaj.

Për pjekjen
Mbulojeni tiganin me një kapak dhe lëreni në zjarr të ulët të piqet për rreth 40 minuta.

Gjatë kësaj kohe kontrollojeni herë pas here kekun tuaj për të parë nëse ka nevojë t’a ktheni nga ana tjetër.

Gjithsesi pasi të kalojnë 40 minuta, kthejeni kekun nga ana tjetër duke e lënë edhe 10 minuta të tjera.

Kur të shikoni që ka marrë një pamje të artë, keku juaj është gati dhe mund t’a hiqni nga tigani për të shërbyer të ngrohtë.

Sipas dëshirës mund ta spërkatni edhe me pak sheqer pluhur sipër për një shije më delikate.

Kekun tuaj mund ta ruani në frigorifer deri në dy tre ditë.

MË TË LEXUARAT

To Top