Domatet janë pjesë përbërëse e shumë recetave në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Bashkë me specat ato shpesh ofrojnë salca të mrekullueshme e shumë të shijshme.
Në AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni një recetë tipike të vendeve të ballkanit me speca dhe domate.
Përbërësit:
5 kg domate
3.5 filxhan çaji me vaj ulliri
20 gramë sheqer
400 ml uthull të bardhë
5 kg speca të kuq
20 gramë kripë
2 tufa majdanoz
15 thelbinj hudhër
1-2 speca djegës
Përgatitja:
Përpara se të nisni punën për përgatitjen e kësaj salce të shijshme duhet të dini që do ju duhet të bëni disa gjëra në të njëjtën kohë.
Në fillim ndizni furrën.
Ndërkohë lajini domatet mirë dhe vendosini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje.
Vendosini domatet aty dhe mbështillini me letër alumini.
Piqini në furrë për 20-30 minuta ose deri sa lëkura e domateve të jetë rrudhur.
Nxirrini domatet nga furra dhe lërini mënjanë.
Lajini specat dhe vendosini sërish në tavë.
Ngrijeni temperaturën e furrës dhe futini specat për tu pjekur.
Duke qenë se specat janë më të mëdhenj se domatet do ju duhet t’i piqni me rradhë.
Specat duhen pjekur nga njëra anë për 25 minuta dhe më pas duhen kthyer nga ana tjetër për të garantuar një pjekje gjithëpërfshirëse.
Specat duhet të jenë të pjekur por jo të djegur.
Ndërkohë që specat piqen, ju mund të pastroni domatet nga lëkura dhe më pas t’i hidhni në një tenxhere.
Shtypini ato me një lugë druri dhe vendosini të ziejnë në një temperaturë mesatare duke i përzier herë pas here.
Temperaturën e sobës mbajeni të ulët.
Domatet duhet të ziejnë deri sa lëngu i tyre të trashet.
Shtoni vajin e ullirit, sheqerin dhe uthullën dhe lërini të ziejnë të gjithë së bashku për 60 minuta.
Mos harroni t’i përzieni herë pas here.
Vendosni dorashka dhe pastroni specat nga farat, bishtat dhe lëkurat.
Më pas specat e pastruar futini në një enë me ujë për një pastrim përfundimtar nga farat dhe lëkurat.
Pasi të jenë pastruar, ndajini në shirita dhe shtojini tek salca e domateve bashkë me specat djegës dhe kripën.
Përziejini mirë dhe lërini të gatuhen për 45 minuta të tjera.
Merrni kavanozët e sterilizuar dhe përgatitini për mbushje.
Qëroni hudhrat, shtypini dhe prijini hollë dhe bashkë me majdanozin e grirë hollë futini në tenxhere.
Hiqeni atë nga zjarri dhe hiqni specat djegës.
Lëreni salcën të ftohet pak dhe më pas transferojeni nëpër kavanozë.
Kavanozët e salcës ruajini në një vend të freskët dhe mund t’i përdorni për disa muaj.
Kjo salcë serviret me bukë të thekur ose si garniturë./AgroWeb.org