Ylli Ndroqi ka falenderuar Sali Berishën për mbrojtjen që po i bën këto ditë, ndërkohë që paralajmëron surpriza.
“Muaji gusht duhej t’i dedikohej pushimeve dhe çlodhjes pranë familjes dhe të afërmve, por tashmë e dini, se ata, që “kujdesen” për prapaskenat ndaj Ora Neës nuk ndalojnë.
E për hedhjen dritë mbi disa prej tyre, falënderoj Doktor Berishën për publikimin e nismës më të re që po përgatitet nga Ministria e Brendshme për sekuestrimin e arkivës së televizionit tonë.
Ju siguroj se askush nuk mund të vërë dorë mbi historinë 14 vjeçare, mbi të thënat e të pathënat e më shumë se një dekade. Jo vetëm, por askush nuk mund të ndalojë suprizat, që do të vijnë…edhe pak, durim!”, shkruan Ndroqi.
Më tej ai i bën thirrje drejtësisë që të qëndrojë larg politikës duke i kërkuar që të bëjë një hetim të plotë, larg ndikimit nga funksionarët politikë.
“Ashtu siç kam kërkuar ndaj gazetarëve t’i qëndrojnë larg ndikimit politik në raportimet në ekran, edhe drejtësisë i bëj thirrje, që politikën ta mbajë larg hetimit për këtë televizion.
Gjithashtu e inkurajoj për hetim të plotë dhe të thelluar, por larg çdo ndikimi nga funksionarë, apo rryma politike”, vijon Ndroqi në reagimin e tij.
Në fund, Ndroqi thotë se e vërteta do dalë shumë shpejt dhe bashkë me të edhe shumë gjëra të tjera.
“Për ata që menduan se RTV Ora dhe Ora Neës do të nënshtroheshe, dëshmuat se dini të jeni profesionistë dhe keni kurajon të publikoni të vërtetat. Ndërsa miqtë e mi i siguroj se e vërteta e kësaj historie do të dalë shpejt dhe bashkë me të dhe shumë të tjera!”, mbyll reagimin e tij, Ndroqi.