Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka çarje në raportet e saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por ka çështje për të cilat nuk pajtohet me të. Ajo tha se nuk pajtohen për çështjen e Ballkanit të Hapur, pastaj me qëndrimin e kryeministrit shqiptar sa i përket Serbisë, veçmas lidhur me lu ftën në Kosovë.
Presidentja Osmani, duke folur për raportet me kryeministrin Rama, tha se “nuk ka çarje që ka të bëjë me raporte ndërpersonale, sepse ato janë tërësisht të parëndësishme dhe do të jenë gjithnjë të parëndësishme”.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore dhe kjo nënkupton që ne e përkrahim kudo që mundemi dhe Shqipëria na përkrah neve si Republikë e Kosovës kudo që mundet”, tha Osmani.
Ajo tha se nuk ka pasur rastin ta takojë kryeministrin Rama, sepse fokusi i saj ka qenë që të merr përkrahjen e shteteve, “të cilën [përkrahje] nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë”.
“Nuk kam nevojë unë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës, ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bind shumë shtete të tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty”.
“Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik”, tha ajo.
Osmani gjithashtu tha se është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij.