Zgjedhjet lokale të vitit 2023 do të kenë një kosto prej rreth 5.3 miliard lekësh. Kështu deklaroi ditën e sotme kreu i Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në një komunikim me mediat, ai bëri të ditur se në datën 27 mars të vitit 2023 përfundon afati për regjistrimin e kandidatëve dhe listave shumëemërore për këshillat bashkiak.
“210 mln lekë për pagat e komisionarëve dhe 3 mln është kosto e projektit të votimit elektronik, ndërsa 5.3 mld lekë është kosto e zgjedhjeve”, u shpreh kreu i KQZ-së.
Afati për regjistrimin e partive politike përfundon më 6 mars, ndërsa për regjistrimin e koalicioneve afati përfundon më 15 mars. Fushata zgjedhore fillon më 14 prill dhe do të mbarojë më 13 maj 2023.
“Në 6 mars përfundon afati i kërkesave për regjistrimin e partive politike, jo më shumë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve. Më 15 mars 2023 përfundon afati i kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. Më 27 mars përfundoni afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie si dhe listave shumëermërore për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Më 14 prill fillon fushata zgjedhore. Në 8 maj përfundon afati për publikimin e sondazheve, më 13 maj përfundon fushata zgjedhore dhe nis heshtja zgjedhore. Në 2 maj 2023 është afati i fundit për vëzhguesit vendas përfshirë edhe mediat. Në 11 maj përfundon afati për vëzhguesit ndërkombëtar. Më 23 nëntor është afati për shpalljen e listëts paraprake të zgjedhësve, 30 ditë pas nxjerrjes . Në 15 mars 2023 përfundon afati për të kërkuar ndryshime në listën paraprake të zgjedhësve dhe më 9 prill shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve”, tha Celibashi.