Këtë herë jo për të raportuar ngjarjet, por i izo luar në një dhomë të shtëpisë së tij ku jeton me të ëmën, tre vajzat dhe bashkëshorten.
Gazetari i ABC News në Lezhë Gjergj Figuri më në fund arriti të marrë përgjigjen e tamponit për Covid-19, katër ditë pasi kreu testin.
Sot gazetari Figuri nga përgjigja e testit ka rezultuar pozitiv për koronavirus. Nga e mërkura, kur iu nënshtrua testit e deri këtë të dielë, ai ka qëndruar në ankth për analizën pasi askush nuk i jepte përgjigje.
Ai ka njoftuar se gjendja shëndetësore është e qëndrueshme ndërsa ka qëndruar i vetëkarantinuar në banesën e tij gjatë gjithë këtyre ditëve.
Një ditë më parë gazetari Gjergj Figuri denoncoi vonesën e përgjigjes së tamponit në ekranin e ABC News duke treguar të gjithë peripecitë.
Figuri publikoi të gjithë telefonatat e kryera me përfaqësues të katër institucioneve të shëndetësisë.
Asnjë lajm nuk mori nga urgjenca mjekësore kombëtare cila i bëri të ditur se duhet të drejtohej në spitalin e Lezhës aty ku kreu tamponin.
Po spitali i Lezhës nuk i hapi telefonin po kështu dhe ISHP. Gjatë rrëfimit Figuri tha se shenjat e para të dyshimit për Covid-19 i ishin shfaqur ditën e shtunë dhe prej këtij momenti ishte vetëizoluar.
Të hënën gazetari pati temperaturë të lartë e në këto kushte, mjeku i familjes, pasi u interesua në njësinë e kujdesit shëndetësor, caktoi ditën për kryerjen e tamponit.
Të mërkurën shkoi në spital ku dhe ju mor analiza për Covid-19, por duhet të kalonin 4 ditë dhe vetëm të dielën arriti të marrë përgjigjen, nga e cila rezultoi pozitiv.
Bëhet me dije se familjarët e tij janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur shenja të Covid, ndërsa vetë gazetari vazhdon të qëndrojë në karantinë.