Këngëtarja Orgesa Zaimi ka zbuluar se muaji janar ka nisur me shumë dhimbje për të pasi ka humbur dy njerëz mjaft të rëndësishëm në jetën e saj. E ftuar në “E ardhmja është vajzë”, Zaimi tha se koronavirusi i ka marrë dajën e xhaxhain brenda pak ditësh.
Ajo rrëfeu se këto humbje të njëpasnjëshme kanë qenë shumë të forta për të dhe apeloi publikisht që të gjithë qytetarët ta merrnin më seriozisht infektimin me Covid-19.
“Janari për mua ka nisur shumë trishtueshëm, sepse kam humbur brenda një afati 8 deri në 9 ditë, edhe dajën edhe xhaxhain. Ishte pak e papritur. Daja im ka qenë njeri që bënte shaka, njeri shumë i ditur… Nuk e di ka qenë një dhimbje shumë e madhe.
Por sidomos goditjen më të fortë e mora nga xhaxhai im Behari, i cili u nda nga jeta para një jave. Ishte një komplikacion i Covid-it, ai e kishte kaluar në Dhjetor dhe ishte një komplikacion që i solli… vuante nga një problem. Nuk e prisja kurrë dhe ishte goditja e dytë shumë e fortë. Nëse për dajën e prisja sepse ishte i shtruar në spital, për xhaxhin nuk e prisja ku rr ë.
Kam shkuar në Skrapar aty ku jetonte bashkë me bashkëshorten, i vetëm në ato shtëpitë e vjetra, nuk donte të ikte, të largohej. Mu kthye pas e gjithë fëmijëria ime, koha kur argëtohesha me të… Të dy këta kanë qenë një model shumë i fortë në jetën time.