Ndjekësit e “Big Brother” që prej fillimit të këtij ‘reality show’, padyshim e mbajnë mend dashurinë që lindi në shtëpi mes Adelës dhe Bjordit.
Ata guxuan dhe thyen çdo tabu, kur u puthën në buzë, teksa i ndiqnin mijëra njerëz, ndërkohë që me futjen e tyre në shtëpi, ishin të vetëdijshëm për kritikat dhe gjykimet e shoqërisë.
Arbana Osmani kujtoi sot tek “Ëndërrtjerrësit”, atë moment të bukur: “Ishte një puthje e fshehtë. Ata ishin puthur duke menduar që ne nuk e dinin që ishin puthur. Ishte në një korridor të vogël para dhomës së rrëfimit. Ne menduam shumë nëse duhet ta transmetonim”.
Adela nuk është më mes nesh, por siç thotë moderatorja, emocionet që ajo i ka dhuruar publikut shqiptar janë të pashlyeshme. “Unë nuk e di nëse do të ketë ndonjëherë në televizion një histori dashurie si ajo. Emocionuese ishte dhe për mënyrën si erdhi, për guximin. Adela ishte shumë vajza shqiptare, prandaj e donin”.