Nga Xhentiana Muskaj/
“Mjeti më i mirë kundër ligjit është të jesh i pacipë.” Një fjali e fiksuar nga romani ”Tre Shokët”, e shkrimtarit të brezit të humbur, Erih Maria Remark. Shqipëria ka ligje shumë të mira thuhet. E pastaj vazhdohet po vetëm në letra i ka.
Jo shumë ditë më parë një grua e moshuar, në një fshat të Fierit ngriu nga i ftohti. I kishin prerë energjinë elektrike. Ajo grua e ndjerë sot, kishte një pension prej 70 mijë lekësh të vjetra.
E jo shumë javë më parë një grua tregoi se pronari ua hedh pagën minimale në bankë po ato ia kthejnë prapë disa para. ”Ndihem aq keq kur ia kthej ato, kam fëmijë.” E ai është vërtetë pronar si në mesjetë, sepse pagën mininale të vendosur me ligj, ai e kalon në bankë, por duhet t’ia kthejnë sepse punohet për 180 mijë lekë të vjetra.
E jo shumë muaj më parë pagat e shqiptarëve dolën sheshit. Nuk pata durim të kërkoj për timen ishte apo jo. Askush nuk kërkoi falje, askush. U qesh, u kalua me humor duke thënë edhe këto ndodhin edhe në Amerikë.
Tre ditë më parë në një qendër për të rinjtë në Divjakë dëgjoja këtë fjali: -Nga muaj shtator deri tani 40 fëmijë janë larguar nga Divjaka, kanë ikur jashtë Shqipërisë, nuk ka më të ardhme këtu.”
Gati gati çdo të enjte apo të hënë deputetët tanë shikohen me veshje, syze në Kuvend. E po të llogarisësh nuk del llogaria, ku i gjejnë sepse nuk ua justifikon paga?! Ku?!
”Truri i Shqipërisë” po ikën. Po ikën sepse me këto paga nuk u mbetet as 10 mijë lekë të vjetra në fund të muajit. Po ikën! Në këtë vend po ‘abortohet’ përditë shpresa! Dhe normale kjo po kthehet në normale. Ka edhe ofendime që budallenjtë lexojnë sepse është krim po vendet e punës merren me para ose mik.
Nuk ka nevojë për shumë shpjegime dhe fjalë. Mjafton të shikosh si shprehen me duar në xhepa punonjësit e intitucioneve zyrtare, me duar në xhepa në shumë raste dhe sa bullizojnë. E akoma më e ulët është kur pyesin ”E kujt je?, ”Kush të dërgoi?”
Tek ”truri i Shqipërisë” largohet të pacipët nuk pyesin për ligje. Sa duket sikur është bërë si ajo shprehja tek ”Përrallë nga Kaluara”, tri ditë edhe harrohet.