Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan të premten një partneritet të ri për të ulur varësinë e kontinentit nga energjia ruse, një hap që zyrtarët e cilësojnë si fillimi i një nisme shumëvjeçare për të izoluar më tej Moskën pas ndërhyrjes në Ukrainë.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin e përdor energjinë “për t’u bërë presion dhe manipuluar fqinjët e tij” dhe se i përdor fitimet nga shitja e saj për të “ushqyer makinerinë e lu ftës”.
Zoti Biden tha se partneriteti, që ai njoftoi së bashku me një zyrtare të lartë të Bashkimit Evropian, do të udhëheqë përpjekjet për uljen e varësisë së Evropës nga burimet energjitike ruse, si dhe uljen e novojave të kontinentit për gaz në përgjithësi.
Presidenti tha se një hap i tillë jo vetëm që është “gjëja e duhur nga pikpamja morale” por “do të krijojë një bazament strategjik më të fortë”.
Në bazë të planit, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të rrisin eksportet e gazit të lëngshëm natyror në Evropë me 15 miliardë metër kub këtë vit. Por zyrtarët amerikanë nuk thanë se cilat vende do të ofrojnë energji shtesë këtë vit. Në të ardhmen, sipas planit, dërgesat e gazit do të jenë më të mëdha.
Në të njëjtën kohë, vendet do të përpiqen të mbajnë në vijë objektivat për klimën, duke fuqizuar infrastrukturën e gazit përmes energjisë së pastër dhe duke ulur ndotjet nga gazi metan që mund të përkeqësojë ngrohjen globale.
Megjithëse nisma ka të ngjarë të kërkojë objekte të reja për importimin e gazit të lëngshëm natyror, partneriteti synon gjithashtu uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile në një periudhë afatgjatë përmes energjisë efikase dhe burimeve energjitike alternative, thotë Shtëpia e Bardhë.
Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dega ekzekutive e BE-së, tha se është e rëndësishme që Evropa të shkëputet nga varësia ruse drejt furnizuesve energjitikë që janë të besueshëm, të qëndrueshëm dhe miqësor.