Ende gjendemi nën ndikimin e masave të fuqishme ajrore anticiklonike të cilat po kushtëzojnë mot krejtësisht stabil dhe të këndshëm pranveror, por mbetet jashtëzakonisht thatë për këtë periudhë kohore.
Kjo gjendje sinoptike pritet të ndryshojë me afrimin e fundit të këtij muaji dhe sidomos në fillim të muajit Prill.
Në Iberi dhe Mesdheun perëndimor pritet të ketë masa të fuqishme ajrore ciklonike të cilat pritet të nisen në drejtim të rajonit tonë duke u fuqizuar edhe më shumë në territorin e Italisë, Detit Adriatik dhe Gadishullit Ballkanik. Si pasojë pritet të kemi destabilizim të fuqishëm të motit.
Fillimisht pritet të kemi aktivizimin e erërave jugore dhe jugperëndimore dhe kjo do të jetë hyrje ose fillim i kontaktit të parë të masave ciklonike dhe shembjen ose dobësimin e anticiklonit të fuqishëm mbi rajonint tonë. Riga lokale shiu pritet të fillojnë që nga nesër dhe atë kryesisht në disa vise të Shqipërisë, ndërsa në viset tjera mbetet ende mot i thatë. Me kalimin e ditëve në Shqipëri pritet të ketë intensifikim gradual të reshjeve të shiut, përderisa në Kosovë ende reshjet do të jetë krejtësisht simbolike dhe të izoluara.
Reshje pak më intensive në Kosovë priten në ditën e fundit të këtij muaji dhe gjatë ditëve në vijim në fillim të muajit Prill. Këto reshje do të jenë jashtëzakonisht të mirëseardhura për shkak të thatësisë ekstreme që ka përfshirë shumë vende në rajonin tonë. Reshjet e shiut pritet të përfshijnë pothuajse tërë Ballkanin duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali të Zi dhe Shqipëria.
Vende-vende priten reshje mjaft intensive dhe të fuqishme dhe nuk përjashtohet mundësia e vërshimeve. Me kalimin e ditëve masat ciklonike do të përforcohen edhe në Kosovë duke krijuar kushte për reshje të herëpashershme.
Fillimisht pritet të jemi në sektorin e ngrohtë të masave ajrore dhe priten vetëm reshje shiu. Me largimin e cikloneve drejt lindjës dhe verilindjes së Kontinentit mund të hapet rruga për depërtimin e masave të ftohta ajrore që mund të kushtëzojnë edhe reshje bore. Reshje bore priten në viset malore, por nuk përjashtohet mundësia që reshje kalimtare bore të ketë edhe në disa ultësira të Kosovës dhe kjo nuk na duhet tani.
Gjendja sinoptike pritet të jetë jashtëzakonisht dinamike gjatë dekadës së parë të Prillit dhe nga sot është jashtëzakonisht e vështirë për ta përcaktuar saktë sasinë dhe llojin e reshjeve si dhe sasinë e ajrit të ftohtë polar që eventualisht mund të arrijë deri te ne. Ne do të jemi duke e përcjellur ecurinë e situatës sinoptike dhe për çdo eventualitet do tju lajmërojmë me kohë në postimet tona gjatë ditëve të ardshme.