Një komandant ukrainas në qytetin port të Mariupolit ka thënë se forcat në fabrikën e çelikut Azovstal nuk do të dorëzohen ndërsa vazhdojnë lu ftimet kundër forcave ruse, sipas skynews.
Majori Serhiy Volyna i brigadës së 36-të tha se ushtarët e tij do të vazhdojnë operacionet luftarake deri në fund. Në një video të dërguar në The Washington Post, komandanti u kërkoi gjithashtu udhëheqësve botërorë të ndihmonin në evaukuimin e sigurt të civilëve nga Mariupol.
“Ky mund të jetë mesazhi ynë i fundit drejtuar botës. Mund të na kenë mbetur vetëm disa ditë apo edhe orë. Forcat armike janë 10 herë më të mëdha se tonat, kanë kontroll mbi hapësirën ajrore, artilerinë, në tokë, mbi tanket dhe epërsinë e automjeteve. Ne po mbrojmë një objekt, impiantin ku ndodhet garnizoni ushtarak i Mariupolit dhe civilët e kapur nga lufta.
Ne po i drejtohemi liderëve botërorë për të na ndihmuar. Garnizoni ushtarak i Mariupolit ka më shumë se 500 ushtarë të plagosur dhe qindra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Ne po kërkojmë të na ofrojnë siguri,” përfundoi ai.
Rusia u ka dhënë përsëri një ultimatum trupave ukrainas për t’u dorëzuar deri në orën 14:00.