Detaje të reja kanë dalë nga zënka e mbrëmshme e djemve të Tom Doshit, të cilët u shpallën në kërkim nga ana e policisë. Një nga djemtë e ish-deputetit socialist është konfliktuar me shtetasin me inicialet R.S., në një sallon në zonën e ish-Bllokut.
Konflikti mes tyre konsiderohet banal për një foto Instagrami. Fillimisht dy të rinjtë janë zënë më llafe, më pas nuk munguan as grushtat mes tyre.Më pas djali i ish-deputetit socialist është larguar për t’u rikthyer së bashku me vëllain dhe bodygardin e tij të identifikuar si Eduart Laskaj. Sipas Abcneës, ata kanë goditur me sende të forta dhe shufër hekuri 38-vjeçarin.
Ai është larguar nga aty dhe ka lajmëruar forcat e policisë duke i kërkuar ndihmë. Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë parë të riun të gjakosur.Në këtë moment ka ndërhyrë dhe polici për të ndarë djemtë dhe për të kryer procedurat e nevojshme, por ata kanë goditur dhe punonjësin e policisë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes në pyetje dhe të dëshmitarëve të tjerë në sallon, policia ka identifikuar dy djemtë e ish-deputetit, të cilët i ka shpallur në kërkim, si dhe ka ndaluar bodygardin.