Fronti i ftohtë ajror që mbrëmë erdhi nga veriu solli ulje të temperaturave, por nuk solli pothuajse fare reshje atmosferike dhe kjo ka qenë më se e pritur. Ky front gjatë pasdites së djeshme solli rrebeshe të fuqishme shiu , me breshër e bubullima shumë viseve të Bosnjës dhe Hercegovines dhe Serbisë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme atje. Sistemi i vranësirave u dobësua krejtësisht kur fronti arriti në Kosovë ashtu siç parashikuan edhe modelet.
Gjatë ditëve të ardhshme ende nuk priten reshje në Kosovë, por atmosfera do të fillojë të destabilizohet që nga pasdita e nesërme dhe atë fillimisht në diku në jug dhe juglindje të Shqipërisë ku priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Të shtunën jo-stabilitetet atmosferike pritet të shtrihen më shumë në territorin e Shqipërisë e shumë më pak në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Të dielën dhe të hënën pritet të kemi destabilizim të atmosferës edhe në Kosovë, ku gjatë dites ose pasdites priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe shiu këto dy ditë herë pas here priten në gati tërë rajonin që nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia Veriore, por të gjithë e dimë se reshjet pranverore dhe verore shumicën e herave janë të karakterit lokal dhe shumë rajone mund të përfitojnë rrebeshe shiu dhe në të njëjtën kohë rajone tjera mund të mbesin me reshje simbolike ose edhe pa reshje fare./MeteoBallkan