Përse largohen mjekët dhe infermierët nga Shqipëria? Një pyetje që merr përgjigje nga vetë ata që lanë pas gjithçka për të shërbyer në një vend tjetër europian si Gjermania, e që sipas tyre u kthen dinjitetin bluzave te bardha.
“Nuk ka pasur vende pune. Ka pasur vende të kufizuara në specializim. E treta, e cila është edhe më e rëndësishmja, mbështetja ekonomike”, shprehet Elton Gjoka, mjek kardiolog.Elton Gjoka, mjek kardiolog, i cili prej 10 vitesh ushtron profesionin e tij Gjermani, tregon për mikrofonin e A2 CNN se çfarë gjeti atje. Ashtu si ai edhe 70% e mjekëve dhe infermierëve thonë se gjermania është varka e shpëtimit për ta.“Është i vetmi vend që ka bërë ligje për shtetin shqiptar.
Aktualisht nuk ka asnjë shtet tjetër në BE ku shqiptarët mund të ushtrojnë zanatin e tyre, cilido qoftë ky. Një mjek specializant në Gjermani merr mbi 8 mijë euro, një rrogë më e madhe se e Guvernatorit të Shqipërisë”, shprehet ai.
Por, a do të kthehej sërish në Shqipëri? “Kur flitet për rikthim, Shqipëria duhet të reflektojë, por tashmë Shqipëria po ecën mbrapa”, shprehet ai.Gjermania mbetet “destinacioni” kryesor i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, pasi njohja e diplomës dhe specializimeve është lehtësisht e mundur. E ndërsa për shumë prej tyre sigurohet një jetë më e mirë, në Shqipëri po krijohet një hendek i madh, në një sistem shëndetësor që prej vitesh ka mangësi të mëdha si për ata që shërbejnë e po ashtu në shërbimin ndaj pacientëve.