Trupi i pajetë i Ish-Presidentit Bujar Nishani do të mbërrijë në atdhe mëngjesin e të mërkurës.
Arkëmorti i tij do të vendoset në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.
Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë. Protokolli i shtetit do t’i zhvillojë ato në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00-12:00 të enjten, për t’a përcjellë më pas në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Pas orës 12:00 arkëmorti me trupin e ish-Presidentit, i shoqëruar nga kortezhi mortor, shkon në këmbë deri në urën që kryqëzon unazën me bulevardin Dëshmorët e Kombit, për t’u nisur më pas drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia mortore, me fjalime lamtumire.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare, në një spital në Gjermani, ku kurohej prej 21 prillit nga një sëmundje e rëndë në mushkëri.
Ai u zgjodh në krye të shtetit në moshën 45-vjeçare, duke u bërë presidenti në moshën më të re i Republikës së Shqipërisë.