Analisti Fatos Lubonja, duke folur në lidhje me ngjarjen e bujshme të ndodhur në Librazhd, ka zbuluar se cili do të ishte reagimi i tij në rast se do të ishte babai i djalit, duke u shprehur se nuk do të guxonte kurrë të hynte në dhomën e nuses pavarësisht gjithçkaje, dhe nëse do të ishte baba i vajzës ka shtuar se do ta merrte menjëherë në mbrojtje.
Lubonja sqaroi se nëse do të ishte ai në vend të babait të vajzës as nuk do të kishte një situatë të tillë pasi as nuk e mendon dot që një vajzë të martohet në një moshë aq të re.
Ai ka ndarë me dëgjuesit edhe një detaj nga marrëdhënia e tij me të bijën, të cilës para shumë vitesh i ka thënë se duhet të mendojë të martohet pasi të mbushë 30 vjeç.“Po të isha babai vajzës do ta kisha marrë në mbrojtje, nuk do e lejoja kurrë të arrinte puna këtu sepse nuk do kisha menduar kurrë në atë moshë të martohej.
Vajzës time i kam thënë shumë vite më parë që 30 vjeç mendo të martohesh, jo më tani. Tani ke kohën të bësh dashuri të provosh, të takosh burra të ndryshëm të cilët mund të të pëlqejnë që më pas të martohesh.Ky është kodi im por dua ta kuptoj edhe atë tjetrin, ndoshta ai e jeton si dramë atë, vërtetë e ndjen, sepse jemi produkt i kulturës sonë. Nderi është më i rëndësishëm sepse në atë kod, nëse ai do të merrte në mbrojtje vajzën do të quhej i degjeneruar”, është shprehur Lubonja.