Gazetari Blendi Fevziu ka bërë të ditur se shteti shqiptar nuk ka paguar asgjë për mjekimin dhe kurimin e ish-presidentit të ndjerë Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në moshën 56 vjeçare në një spital të Gjermanisë.
Fevziu vuri në dukje se shtetit shqiptar i takonte për arsye dinjiteti dhe për respektin që duhet të tregonte ndaj personalitetit të një figure politike si Bujar Nishani.“Me aq sa unë kam informacion dhe besoj që nuk jam i gabuar: Shteti shqiptar nuk ka paguar asgjë për mjekimin e Bujar Nishanit.Një mjekim që duhet të ketë pasur shuma të mëdha, unë nuk mund të flas për atë, por që shtetit shqiptar i takonte për arsye dinjiteti dhe për një raport respekti ndaj personalitetit të tij sepse ne nuk kemi pasur shumë me gjithë historinë e Shqipërisë, ne kemi pasur 9 presidentë duke futur këtu edhe Ahmet Zogun. Shteti shqiptar, mesa di unë nuk ka paguar asgjë për mjekimin e tij.
Do të ishte në dinjitetin e shtetit që personalitete të tilla të larta të kenë të përfshirë edhe mjekimin. Shteti shqiptar ka paguar për mjekimin e shumë personazheve dhe ka bërë shumë mirë, kushdo që ka nevojë, shteti mund të ia paguajë, nëse mundet të ia paguajë.Në këtë rast, do të ishte në nderin e shtetit që të kishte paguar edhe faturat e mjekimit të pafat në një farë mënyre të Bujar Nishanit”, është shprehur Fevziu i ftuar në “Milori Live”, në Klan News.