Ushqime

Përdoret për shumë gatime dhe u jep shije të rrallë/ Vlerat e labotit të bardhë që rritet në Shqipëri

Laboti është një barishte e cila në Shqipëri zakonisht gjen përdorim në recetat e byrekut, sallatave apo supave.

Ai në vendin tonë kultivohet në dy format e tij karakteristike; i egër dhe i butë.

Laboti me gjethe të gjelbër gjendet në florën e egër, kurse ai me gjethe ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë duhet të kultivohet.

Pikërisht laboti i butë ose siç njihet ndryshe laboti i bardhë, është shpallur nga specialist të fushës si një specie e rrallë.

Laboti Në Shqipëri Gjendet në Dy Forma:
Laboti i gjelbër ose siç njihet Atriplex hortense ssp.viridis Alef, formon kërcell të fortë e të qëndrueshëm.

Ai karakterizohet nga gjethe të gjata e të ngushta, me ngjyrë të gjelbër e deri gjelbër të errët.

Tek kjo formë bimore gjethet vilen duar-duar kur ato kanë arritur madhësinë dhe pjekurinë karakteristike.

Laboti i verdhë ose i bardhë njihet me emrin Atriplex hortense ssp.lutens Alef. Ai formon kërcell të brishtë e gjethe të gjera, me ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë, tepër të shijshme në ngrënie.

Vjelja e kësaj forme bëhet me shkulje të bimës, kur ajo ka lartësi 20-30 cm dhe masë gjethore të plotë e të butë.

Kjo është forma më e përshtatshme për kultivim në fushë të hapur.

Kultivimi i Labotit
Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura me lëndë organike, dhe me mundësi ujitjeje.

Mbjellja e labotit të gjelbër bëhet në fund të muajit Prill, vjelja fillon fund të Qershorit dhe vazhdon deri në Tetor.

Laboti i verdhë mbillet duar-duar, gjatë periudhës Mars-Tetor. Prodhimi vjen për t’u vjelë 50-65 ditë pas mbirjes farës.

Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Preferohet për konsum të freskët në familje dhe për tregun lokal.

Laboti gjelbër nuk ka rrezik zhdukjeje, sepse gjendet edhe në florën spontane; kurse i verdhi rrezikohet pasi është i kultivuar dhe vilet me shkulje të bimës./AgroWeb.org

MË TË LEXUARAT

To Top