Modelja e njohur, Beniada Nishani, ka bërë së fundmi një bisedë virtuale me mijëra ndjekësit e saj në profilin e “Instagram”-it. Gjatë këtij bashkëbisedimi, ajo ka sqaruar edhe deklaratën që bëri më herët për Donald Veshajn dhe Beatrix Ramosajn.
Beniada iu drejtua fansave të saj me pyetjen: “Çfarë ju bën të lumtur?”. Dikush ka shkruar Donald dhe Trixa, duke shoqëruar me një zemër të thyer.
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e modeles, e cila u duk se ka ironizuar dyshen duke i thënë ndjekëses të flejë rehat. “Ku të shkon mendja, moj ku të shkon mendja. Futja gjumit, flej rehat”, është shprehur Beniada duke qeshur.
Mesa duket disa ndjekës e kanë marrë si tallëse këtë reagim, e prandaj dikush i ka shkruar: “Nuk e kuptova të qeshurën tënde në ask-un që kishte të bënte me Trixën. Është shoqja jote“.
Më pas Beniada ka ndarë një video duke sqaruar: “Mund të dukem unë si njeriu që tallet për diçka të tillë? Jo. Është thjesht ‘futja gjumit dhe mos e vrit shumë mendjen’. Sepse ata janë shumë të lumtur dhe Trixa nuk ka nevojë për askënd”.
Ndërkohë kujtojmë se kur ishte pjesë e “Big Brother VIP” Beniada ka mbështetur lidhjen e Donaldit me Beatrix. Ajo ka deklaruar se shihte kimi mes tyre, por gjithmonë ka shtuar se nuk e njeh historinë e tij me Borën, të cilën e ka cilësuar si një vajzë shumë të bukur.