E ka një arsye përse kjo recetë quhet magjike dhe kjo prej shijes delikate që ka.
Me një zemër të butë kremi me vanilje, ky kek është perfekt për t’u përgatitur kurdoherë.
Receta do të mbledhë pranë tryezës të gjithë të afërmit e të dashurit tuaj për t’i surprizuar me një shije speciale.
Mund ta përgatisni për çdo rast pasi është i përshtatshëm edhe për festimet familjare.
Mjafton që të ndiqni hapat me kujdes dhe që të keni pak durim.
Përbërësit
4 vezë në temperaturë ambienti
170 g sheqer
125 ml gjalpë i shkrirë
1 lugë çaji me vanilje
100 g miell i situr
500 ml qumësht i vakët
Sheqer pluhur
Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të ndizni furrën në temperaturën 170-180 gradë në mënyrë që ajo të ngrohet.
Ndërkohë në një tavë të lyer më parë me vaj, vendosni letër pjekjeje.
Tani nisni përgatitjen e brumin të kekut magjik, duke ndarë vezët.
Në tasin që keni hedhur të verdhat e vezëve shtoni sheqerin dhe filloni t’i përzieni bashkë.
Sigurohuni që të gjitha kokrrizat e sheqerit të kenë shkrirë dhe masa të ketë një ngjyrë të lehtë në të verdhë.
Filloni të shtoni ngadalë gjalpin e shkrirë plotësisht, ndërkohë që përzieni të verdhat e vezëve.
Hidhni dhe vaniljen dhe përsëri përzieni masën, që përbërësit të lidhen mirë.
Tani është radha e miellit. Shtojeni ngadalë duke përdorur një lugë gjelle.
Masa duhet të jetë e shkrifët dhe e njëtrajtshme, në mënyrë që keku të dalë ashtu siç e kërkon receta.
Filloni të shtoni dhe qumështin e vakët gjithmonë duke përzierë masën.
Ndërkohë të bardhat e vezëve filloni t’i përzieni me rrahësin elektrik derisa të formohet masa bardhoshe dhe e plotë.
Shtoni të bardhat e vezëve tek përzierja që përgatitët dhe përzjejeni shumë lehtë me një spatul kuzhine.
Mos u shqetësoni nëse brumi i kekut del më i lëngshëm nga çfarë jeni mësuar.
Kjo recetë këtu e ka sekretin e zemrës kremoze.
Kalojeni masën tek tava ë përgatitët në fillim dhe futeni në furrë për ta pjekur për 35-40 minuta.
Sigurohuni që sipërfaqja e kekut të ketë marrë një ngjyrë të artë të njëtrajtshme dhe brendësia e tij të jetë ende e butë.
Pasi të jetë pjekur mjafton që kekun ta hiqni nga tava përmes letrës së pjekjes dhe ta lini të ftohet pak.
Spërkateni me sheqer pluhur dhe mund ta servirni dhe mrekulloheni me shijen e tij të përkryer. /AgroWeb.org