Për bordullakun mund të keni dëgjuar pak ose aspak pasi kjo bimë është njohur sëfundëmi për konsum në vendin tonë.
Bordullaku është një barishte që rritet prej shekujsh nëpër lëndina dhe kopshte, pra mund ta gjeni e ta rrisni lehtë edhe në shtëpitë tuaja.
Ka shumë pak kolesterol dhe është burim i shkëlqyer i tiaminës, niacinës, vitaminës B6 dhe folatit.
Bordullaku përmban vitaminë C, A, riboflavinë, kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, bakër dhe mangan.
Gjithashtu është një nga bimët më të pasura me omega-3 në të gjithë botën.
Pra kemi të bëjmë me një vlerë të vërtetë për organizmin.
Sot AgroWeb.org ju tregon si ta përgatisni në turshi për të marrë sa më shumë shije dhe vlera.
Fletët e holla të bimës dhe kërcelli i trashë do t’i dhurojnë turshive tuaja një dimension tjetër shije.
Përbërësit
Për një kavanoz të vogël
300 gr bordullak
500 ml ujë
2 lugë gjelle kripë e trashë
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete vini ujin te ziejë në bashkë me kripën.
Kur uji të marrë valën e parë hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet.
Ndërkohë vendosni të gjithë bordullakun në kavanoz në degë të vogla dhe kur uji të jetë i ftohtë hidheni brenda në kavanoz.
Mbylleni mirë kapakun e më pas vendoseni në një ambient të errët e të thatë të konservohet për 5-7 ditë.
Kur të shikoni që bordullaku ka marrë ngjyrën e zakonshme të turshive mund të filloni ta konsumoni duke e shoëqruar me ushqime të tjera.
Sipas dëshirës ju mund të shtoni edhe erëza apo perime të tjera në këtë proces.
Bordullaku këshillohet të konsumohet bashkë me kërcell pasi ky i fundit i jep shijen e dëshiruar të turshive kësaj bime. /AgroWeb.org