Lajme

Marrëveshja me Italinë/ Rreth afro 700 mijë shqiptarë do të marrin dy pensione

Në kuadër të marrëveshjes me Italinë, çdo shtetas shqiptar që ka punuar në Itali, do të marrë pension edhe në Shqipëri. Astrit Hodo, Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore është shprehur se marrëveshja reciproke bashkon vitet e kontributeve në të dy vendet dhe qytetari merr dy pensione të ndryshme në të dyja shtetet.

“Është parashikuar bashkimi i periudhave kontributeve që do të thotë, vetëm për të plotësuar kriteret ligjore, ne kemi 15 vjet sigurime dhe Italia ka 20 vjet sigurim, do të konsiderohen periudhat kontributeve të realizuara në Itali njëlloj sikur janë bërë në Shqipëri, që do të thotë vetëm për të kualifikuar. Ne do ja paguajmë llogarinë e vet, IMSI-it italian që është homologu i ISSH-së, do i paguajë në llogarinë e vetë. Do marrin dy pensione.

Bashkimi i periudhave i fut në kushte të dy skemat. Në marrëveshje është thënë që e drejta për të përfituar është nga momenti që hyn marrëveshja në fuqi, por ky është momenti që do të merren lekët, por nuk do të thotë që nëse një qytetar shqiptar ka dalë në pension në Itali në 2015, nuk do i marrë lekët në 2015, por do i marrë në momentin që do të hyjë marrëveshja në fuqi”, tha Hodo.

Detaje nga marrëveshja me Italinë

Janë afro 700 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali të cilëve do tu “rikthehen” vitet e punës të lëna në Shqipëri, të cilat deri më tani konsideroheshin si vite të djegura. E thënë ndryshe, periudha e punës në vendin e origjinës e shoqëruar me kontibutet përkatesë të derdhura në varësi të pagës, do ti bashkohet periudhës kontributeve në Itali me qëllim realizimin e kushteve ligjore për të dalë në pension.

Në total numri i përfituesve është 550 mijë, pasi 220 mijë emigrantë aktualisht janë fëmijë dhe studentë. Nga detajet e marrëveshjes së nënshkruar midis Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e pensioneve, ku përfitues do të jenë edhe ata qytetarë që në të ardhmen, vendosin të lënë vendin tonë për të emigruar në shtetin fqinj, ndërkohë që i njëjti trajtim jepet edhe për qytetarët italianë që punojë dhe jetojnë në vendin tonë.

Pra marrëveshja mbulon të gjithë kategoritë e të punësuarve dhe vetëpunësuarve dhe siç shtrihet në kohë kontribuimin, ashtu do të shtrihet edhe përfitimi , çka do të thotë që do të përfitojë edhe një emigrant që sot është 20 vjeç dhe punon në Itali, sikurse do të përfitojë edhe një individ që aktualisht është 64 vjeç dhe del në pension më mbushjen e moshës. Masa e pensionit që jepet, është në bazë të kontributeve reale të derdhura në secilin shtet.

Pra nëse marrim si shembull një qytetar shqiptar që ka punuar 12 vjet në Shqipëri dhe 15 vjet në Itali, ai nuk ka të drejtë për pension as në Shqipëri dhe as në Itali. Sepse periudha minimale për të dalë në pension në vendin tonë është 15 vjet dhe në shtetin fqinj 20 vjet. Bashkimi i këtyre periudhave përmes marrëveshjes, i jep mundësinë këtij individi që të plotësoje kriteret për të përfituar pension në të dyja vendet.

MË TË LEXUARAT

To Top