Leo një fëmijë 8-vjeçar, është tregtari më i vogël i Durrësit. Ai çohet herët në mëngjes dhe kthehet në shtëpi kur perëndon dielli. Gjithë dita i shkon në plazh duke përshkruar kilometra të tërë në këmbë. Në mes të vapës, me disa qese me fruta në duar, Leo përpiqet të shesë diçka.
Sapo përfundoi klasën e dytë, nuk shkoi në një kamp veror si bashkëmoshatarët e tij, nuk shkoi as në fshat te daja, nuk po luan futboll, as nuk po bën pushime si fëmijët e tjerë por është i detyruar të punojë.
Po po, i duhet të punojë pasi shteti i ka lënë mbi supe një borxh prej të paktën 5600€. Përveç borxhit, shteti i ka lënë një shëndetësi që nuk është falas, i ka lënë një arsim të dobët, një mjedis shoqëror të pasigurt dhe një jetesë mjaft të shtrenjtë si pasojë e rritjes së inflacionit dhe çmimeve.
Ai nuk e di çfarë janë tenderat, PPP-të, nuk e di çfarë janë investitorët strategjikë, oligarkët, apo abuzimi me fondet publike. Ai di vetëm që për të hyrë në klasën e tretë i duhen rroba të reja, një çantë, mjete shkollore, libra të rinj e fletore. I duhen para të cilat prindërit nuk ja mbulojnë dot.
Këtë shqetësim nuk e kanë fëmijët e politikanëve, të oligarkëve, fëmijët e atyre të cilët pasurohen duke marrë para nga buxheti i shtetit, nga paratë që duhet t’i jepnim Leos dhe familjes së tij. Fëmijët e këtyre oligarkëve nuk punojnë, shijojnë pushimet në resortet që baballarët u kanë ndërtuar me paratë e grabitura të shqiptarëve. Fëmijët e tyre i arsimojnë jashtë shtetit, i kurojnë në spitale private, i argëtojnë në majë të kodrave në ajrin e freskët.Nëse 90 vetë në Shqipëri nuk do të kishin më shumë para seç kanë e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, Leo nuk do kishte nevojë të punonte.
Nëse oligarkët do të paguanin më tepër taksa, Leo nuk do të kishte nevojë të punonte. Nëse politikanët do të punonin ndershmërisht dhe nuk do të abuzonin me paratë e buxhetit të shtetit, Leo do të ishte duke luajtur tani apo edhe duke u larë në plazh.
Prandaj duhet të bëhemi bashkë dhe të ndërtojmë një shoqeri që i ofron Leos një jetë si gjithë bashkëmoshatarët e tij. Të bëhemi bashkë që fëmijët të mos lindin me borxhe, por të lindin në një shtet me ekonomi të fortë e të qendrueshme. /Nisma Thurje