Ushqime

Gjella e verës/ Ja si ta gatuani supën që u jep energji, duhen oriz, speca dhe domate

Stina e verës shoqërohet me nevojën për ushqime të lehta dhe të shijshme.Ndonjëherë dreka mund të kalohet shumë lehtë me një sallatë me domate e tranguj, tarator dhe ëmbëlsira në fund: shalqini i kuq.

Megjithatë, duke qenë se temperaturat gjatë verës janë të nxehta, njeriu ka nevojë edhe për gatime të lëngshme siç janë gjellat e ndryshme apo supat.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e të ashtuquajturës gjella e verës e cila ka përbërës mjaft të thjeshtë dhe që nuk mungojnë asnjëherë në treg.

Bëhet fjalë për domatet, specat dhe orizin të cilët së bashku formojnë një mozaik të bukur vlerash dhe shijesh.

Përgatitja e Gjellës Verore me Domate, Speca dhe Oriz
Përbërësit
Për katër persona rekomandohen

5-6 domate me cipë të hequr dhe të grira në rende.

2 qepë mesatare të grira hollë

2 speca jeshilë ose të kuqë të prerë hollë

1 gjethe dafine

Gjysëm filxhani ose pak më shumë oriz

Kripë dhe piper

2-3 thelpinj hudhra

Një filxhan kafeje me vaj ulliri

Përgatitja E Gjellës Së Verës
AgroWeb.org ju udhëzon të kaurdisni specat në vaj ulliri dhe ndërsa ato zbuten hidhni qepët.

Në këtë recetë specat hidhen të parët në tenxhere duke qenë se kërkojnë më shumë kohë se qepët për t’u zbutur.

Kaurdisni mirë për 5 minuta duke i përzier në mënyrë të njëtrajtshme me lugë druri.

Më pas shtoni lëngun dhe copat e domateve dhe vazhdoni përzierjen për 10 minuta të tjera deri sa lëngu të marrë trashësinë e duhur të gjellës.

Pas shterjes së lëngut, hidhni orizin dhe tre apo katër gota me ujë.

Idea e kësaj gjelle të lehtë verore është që ajo të mos ketë hollësinë e supës, por as trashësinë e rëndë të një gjelle dimri.

Ndërsa gjella zien, shtoni kripën, piperin, hudhrën e grirë hollë dhe gjethen e dafinës.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe patate bashkë me spec djegës.

Këtë gjellë mund ta servirni të ngrohtë duke e spuerkatur me pak uthull nëse preferoni dhe duke e shoqëruar me dhallë ose me kos.

MË TË LEXUARAT

To Top