Në Fletoren Zyrtare të publikuar sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që në çdo institucion publik krah flamurit të Shqipërisë të vendoset dhe ai i Bashkimit Europain.
Bëhet me dije se propozimi është bërë nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
“Përjashtim nga ndalimi i ngritjes dhe vendosjes së flamujve të huaj, sipas kësaj pike, përbën flamuri i Bashkimit Evropian, i cili vendoset përkrah flamurit kombëtar në të gjitha institucionet publike, në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme” thuhet në vendim:
Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare
PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 8926, DATË 22.7.2002, “PËR FORMËN DHE
PËRMASAT E FLAMURIT KOMBËTAR, PËRMBAJTJEN E HIMNIT KOMBËTAR,
FORMËN DHE PËRMASAT E STEMËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE
MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
Në nenin 4, të ligjit nr. 8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, bëhen këto shtesa:
a) Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtim nga ndalimi i ngritjes dhe vendosjes së flamujve të huaj, sipas kësaj pike, përbën flamuri i Bashkimit Evropian, i cili vendoset përkrah flamurit kombëtar në të gjitha institucionet publike, në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme.”.
b) Në pikën 5, pas fjalëve “… si dhe raporti i përmasave të tij për këto mjedise, …”, shtohen
“… si dhe mënyra e përdorimit dhe përmasat e flamurit të Bashkimit Evropian …”.
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.