Rajmonda Bulku e cila është një nga aktoret më të mëdha në kinematografinë shqiptare festoi dje ditëlindjen dhe mbushi plot 64-vjeç.
E cilësuar si një nga aktoret më të bukura shqiptare dhe e pakurorëzuar ‘miss’, Rajmonda Bulku vazhdon të mbetet edhe sot, 64-vjeç vjeçare dhe gjyshe për herë të katërt, simbol i bukurisë në vendin tonë.
Rajmonda Bulku e nisi rrugën e artit që kur ishte nxënëse në vitin e tretë në gjimnaz, më 1976 ajo debutoi në filmin ‘Dimri i fundit’. Pas shkollës së mesme ajo nisi punën si montazhiere në Kinostudio “Shqipëria e Re” e më pas filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku diplomohet në degën e dramës në vitin 1985.
Menjëherë pas diplomimit Rajmonda Bulku u emërua aktore në Teatrin Kombëtar ku ka luajtur shumë role kryesore, por vlen të thuhet se famën ajo e mori përmes roleve në filma.
Me mbi 20 role në filma dhe plot të tjerë në teatër, Rajmonda Bulku është nderuar me disa çmime. Rajmonda Bulku ndërkohë mbahet mend jo vetëm si aktore, por gjithashtu dhe si pjesë e politikës dhe lëvizjes studentore të dhjetorit.