Kampionia e Europës në garën 3 mijë metra me pengesa në Kampionatin Europian, Luiza Gega është pritur me ceremoni të veçantë në Kryeministri.
E shoqëruar nga trajneri i saj dhe ministrja e Sportit Evis Kushi, Luiza Gegës dhe trajnerit të saj i ishte vënë në dispozicion një makinë retro kabriolet me të cilën parakaloi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nën duartrokitjet dhe brohorimat e qytetarëve, të cilët ishin mbledhur për respekt të saj.
Luiza Gega, kampionia e Europës në garën e 3 mijë metrave me pengesa, u prit me nderime dhe ceremoni të veçantë në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.
Kryeministri e cilësoi të gjithë mundin e Luiza Gegës deri në fitoren e saj me 4 fjalët e Ëinston Churchil, ish-Kryeministër i Britanisë së Madhe.
“Shteti ka kohë që e ka pranuar që e ka humbur rivalitetin me sportin. Kujtoni një fjalë të famshme të një shtetari shumë të shquar, Ëinston Churchil, kur i thoshin cili është sporti yt i preferuar, ai thoshte sport jo, kurrë. Sepse ishte një atlet i uiskit dhe puros por ndihej shumë i sfiduar nga sporti. Kështu e parapëlqente ta asgjësonte me shpoti. Ka diçka që bashkon emrin e tij me triumfin e Luizës. Janë 4 fjalë të cilat ai i përdori duke i bërë homazhin më të madh vetë sportit kur i ngriti në këmbë gjithë britanikët në luftë me një recetë mahnitëse që i ka mbetur historisë të fitores mbi nazizmin dhe u tha nuk kam asgjë për t’ju ofruar veç sfilitje, gjak, lot dhe djersë.
Nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta, ato janë hapa të pafundëm sfilitje, gjaku, lotësh dhe djerse. Me këto 4 fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie. Sipërmarrja e saj është marramendëse” tha Rama.