Nga reshjet e pakta, por edhe temperaturat e larta liqeni i Fierzës, ujëmbledhësi më i madh në vend që gjendet në kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës është tharë totalisht.
Liqeni ka një kapacitet me 3 miliardë metër kub ujë, por që nga fotot e marra dy ditë më parë shihet se Liqeni i Fierzës është tharë.
Mungesa e reshjeve si dhe prodhimi i energjisë elektrike ka bërë që liqeni i Fierzës të vijë në këtë pikë. Tashmë një pjesë e liqenit pranë kufirit me Kosovën është kthyer në një kullotë për bagetitë. Sakaq tharja e Liqenit ka nxjerrë në sipërfaqe dhe rrugën e vjetër të kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Me tharjen e tij kanë filluar të dalin edhe rrënojat e para të qytetit të vjetër. Pamjet e këtyre ditëve ofrojnë pamje të ngjajnë shkretëtirave.
Mungesa e reshjeve për një kohë të gjatë ka sjellë ulje të konsiderueshme të nivelit të ujit në basenin e kaskadës së liqeneve të HEC-eve të Drinit. Aktualisht niveli i tij është rreth 259 metra, 17 metra larg pikës kritike.
Burimet kanë shumë herë më pak ujë ndërsa, prurjet e lumenjve që furnizojnë liqenin e Fierzës kanë rënë nën mesataren vjetore të 10 viteve të fundit.