“Nëse do ju duhej të zgjidhnit përdorimin e vetëm një prej këtyre pajisjeve, do të ishte tharësja që than flokët mamaja apo rezistenca ku ngroh këmbët vjehrra?” Kjo ishte tema e diskutimit në “Aldo Morning Show” ku Nasi, një telefonues nga Skrapari habit Aldon dhe gazetaret me përgjigjen e tij.
Ai thotë se vjehrra është gjithçka për të sepse i ka dhënë jetë bashkëshortes së tij.
Biseda:
Nasi: Kjo është paksa delikate si pyetje.
Aldo: Pse?
Nasi: Sepse është shumë e vështirë zgjedhja.
Aldo: Po tani, drejt kësaj po shkojmë plako, do kursejmë apo jo?
Nasi: Po mirë, do kursejmë, unë do përdorja rezistencën për vjehrrën.
Aldo: Vërtet e ke?
Nasi: Po, sepse të tërë ata burra që thonë “jo, unë vjehrrën s’e dua, tërrci-vërrci”, janë të tërë mashtruesa. Vjehrrat janë krijesat më të mira në këtë botë.
Aldo: E para, nuk ka burrë që thotë nuk e dua vjehrrën pa pasur një shkak.
Nasi: Ashtu thonë të tërë ata. Unë e kam nga eksperienca ime miku im.
Aldo: Që do të thotë?
Nasi: Që do të thotë unë për vjehrrën bëj gjithçka. Nuk dua që të vuajë.
Aldo: Po tani zgjedhja është mes vjehrrës dhe mamasë. Zgjidh.
Nasi: Vjehrrën.
Aldo: Seriozisht e ke?
Nasi: Po, seriozisht. Të betohem. Ajo ka bërë krijesën më të dashur të jetës time.
Albana Çaushaj: Po ajo tjetra të ka bërë ty ndërkohë.
Nasi: Po mirë, më ka bërë nga rastësia.
Megi Latifi: Po mirë edhe ajo nga rastësia qenka bërë atëherë, nusja juaj.
Nasi: Po më ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme vjehrra mua. Pse mos të kujdesem për vjehrrën?
Krejt papritur, Nasi bën me dije se vjehrra e tij nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Sapo Aldo e pyet se çfarë problemi ka, ai shpërthen në të qara dhe mbyll videothirrjen.