Nuk ecën dot prej moshës 3 vjeçare mirëpo kjo nuk e pa penguar Arbri Bogdanin që ta “ndezë” dasmën e motrës së tij. I riu nga Përrenjasi kërceu dhe e shijoi në maksimum ditën më të rëndësishme të së motrës. I ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ai foli për këtë por dhe për problemet shëndetësore.
“U ndjeva shumë i lumtur sepse të gjithë thonë iku motra por isha shumë më i gëzuar sesa i hidhëruar.”, tha Arbri. Ndërkohë babai i tij, Ilmiu, i cili ishte gjithashtu i ftuar në emision theksoi se ishte dëshira e të birit të organizonin një dasmë madhështore për të bijën.
Ilmiu u ndal gjithashtu te problemi shëndetësor që e la Arbrin në një karrige me rrota. Ai tregoi se në moshën 3 vjeçare kishte dëmtuar palcën kurrizore për shkak të temperaturës së lartë. Por, pas shumë vizitash, mjekët u thanë se nuk mund të bënin asgjë dhe se nuk do të mund të ecte.
“Temperatura e kapi natën dhe i dëmtoi palcën kurrizore. Ne nuk e dinim problemin, mendonim se ka grip. Nesër në mëngjes e dërgojmë te mjeku. Erdhëm në Tiranë dhe pas rezonancës na thanë se nuk mund të bëjmë asgjë. Qëndroi 20 ditë në reaminacion.
Më pas shkuam jashtë, e mbajtën gjashtë muaj me terapi dhe thanë që nuk mund të bëjmë diçka tjetër.“, tha Ilmiu. Prej katër vitesh, Arbri kryen dializë dhe i duhet të udhëtojë drejt Tiranës tre herë në javë. Babai i tij dëshiron t’i dhurojë veshkën por deri më tani nuk është bërë asgjë.
“Katër vjet bën dializë. Ka ardhur si pasojë e paralizës dhe jemi munduar t’i bëjmë transplant. Unë doja t’ia jepja veshkën, më pas ra pandemia. Por doktorët nuk na kanë thënë diçka të saktë. Problemi është se ka nevojë për një operacion që të zmadhohet qeska e urinës për arsye se prishet veshka.
Ka ngelur nga doktorët që nuk e kanë ndarë dhe të thonë se ky djalë do të bëhet kështu. Analizat kanë dalë shumë mirë, veshka përputhet.“, tha i ati.