Ushqime

Një recetë që duhet ta provoni patjetër/ Ja si të gatuani dollma me lakër dhe perime

Të shijshme sa s’ka më, lakrat e përgatitura si dollma janë padyshim një ndër gatimet më fantastike shqiptare.

Të lehta e të plota në shije ashtu si edhe në përgatitje, ky është një ndër gatimet që nëse i ke përpara në tryezë vështirë se mund t’i rezistosh.

Është ndër recetat që ka fituar zemrën dhe oreksin e shqiptarëve prej shekujsh e shekujsh me radhë, trashëguar brez pas brezi duke vijuar edhe sot të ketë po të njëjtën shije e tërheqje ashtu si dikur.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë recetën tipike e dollmave me lakër të bardhë dhe perime, e thjeshtë për t’u përgatitur e për të kënaqur gjithë familjen.

Përgatitja e Dollmave me Lakër
Përbërësit
1.5 kg lakër e bardhë

3-4 kokrra mesatare qepë

5 karrota

2 speca (të kuq dhe jeshil)

2 filxhanë kafeje oriz

1 lugë gjelle salcë domateje

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Kripë

Piper

Përgatitja
Për përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju sugjeron të zgjidhni një lakër madhe, të freskët.

Pastrojeni nga gjethet e dëmtuara dhe largojini kërcellin deri në brendësi.

Më pas, lakrën vendoseni në një tenxhere me ujë dhe ziejini për 15 minuta.

Pasi të ketë zierë ndani gjethet dhe nisni përgatitjen e mbushjes.

Vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni vaj ulliri dhe kaurdisni qepën e grirë hollë derisa volumi i saj të bjerë.

Më pas, shtoni karrotat the specat e grira hollë dhe vijoni kaurdisjen. Hidhni orizin, vijoni kaurdisjen e më pas shtoni salcën e domates, kripën dhe piperin.

Kaurdisini të gjitha bashkë dhe shtoni një gotë ujë dhe lëreni të zjejë derisa uji të avullojë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni mbushjen e dollmave.

Merret gjethja e lakrës, hapet në tavolinën e kuzhinës, shtypet kërcelli. Vendoset mbushja në fillim të gjethes dhe mbështillen anët dhe rrotullohet në formë roleje.

Vijoni me radhë të përgatisni të gjitha dollmatë me rradhë.

Pasi t’i keni përgatitur të gjitha dollmat, vendosini me rradhë në një tenxhere në fundin e të cilës keni shtruar një gjethe lakre.

Dollmatë ngjishen mirë në tenxhere njëra pas tjetrës që të mos hapen gjatë zierjes.

Sipër u vendoset një pjatë, u hidhet 1 apo 2 gota ujë me pak kripë sa të mbulohen por jo plotësisht.

Lihen që të zjejnë për reth 30 minuta.

Shoqërimi dhe përgatitja me salcë
Nëse dëshironi, për ta bërë edhe më të plotë shijen e dollmave mund të përgatisni edhe një salcë të shijshme për të cilën do t’ju duhen: 1 filxhan kafeje vaj ulliri, 1 kokërr qepë mesatare, 1 lugë gjelle miell, 1 lugë gjelle salcë domateje, kripë dhe piper.

Në një tenxhere me vaj ulliri kaurdisni qepën, hidhni miellin, salcën, kripën dhe piperin e zi, një gjethe dafine dhe pak lëng nga dollmatë apo ujë.

Lëreni sa të marrë një valë dhe hidhuani dollmave dhe të lërini të zjejnë edhe pak minuta bashkë me salcën./AgroWeb.org

MË TË LEXUARAT

To Top