Në edicionin e lajmeve në Dritare TV, e ftuar Pëllumbesha Lasku, sipërmarrësja që drejton bujtinën e saj në Pukë, tregoi se ka disa muaj që ka punësuar punonjës nga India, me shërbimin e të cilëve thotë se është shumë e kënaqur.
“U detyruam të hedhim në faqen tonë njoftim pune. Ishin indianët që na shkruajtën të parët për të punuar.
Tashmë, ata janë të kënaqur dhe është një zgjidhje shumë e mirë për të gjithë bizneset në Shqipëri që të punësojnë punëtorë të huaj, sepse jemi në një krizë shumë të madhe t’ja dalim vetë.
Njoh edhe sipërmarrës të tjerë që kanë punësuar të huaj dhe janë shumë të kënaqur, kryesisht indianë.
Komunikojnë në gjuhën angleze dhe nuk është problem fare, edhe klientët janë mësuar dhe i kërkojnë sepse ata kanë një kulturë për punën.
Ne i mundësojmë akomodimin e fjetjes, ushqimin dhë rrogën e mjaftueshme. Edhe tjetri që ka ikur, akoma na shkruan edhe thotë se është i kënaqur për punën e mikpritjen që gjeti në Shqipëri. Punëtorët e huaj kanë një kulturë shumë të madhe për punën, e vlerësojnë shumë. Është pak e lodhshme të merremi për vizat e puëns dhe lejen e qëndrimit të tyre, sepse kjo është mënyra e vetme që të dalin nga kjo krizë e madhe të punëtorëve.
Punëtori ynë ka punuar në kuzhinat e Dubait dhe i ka pëlqyer më tepër puna jonë këtu. Jemi në diskutim që ai të sjellë edhe disa punëtorë të tjerë nga India. Kanë disiplinë.
Do të jetë një trend në rritje punësimi i të huajëve, sidomos këtë sezon vere. Është e nevojshme sepse nuk ka punëtorë, nuk kemi zgjidhje tjetër.” – theksoi Pëllumbesha Lasku./Burimi: Dritare.net