Analisti i njohur Lutfi Dervishi ka reaguar për origjinën e futbollistit të njohur, Messit. Dervish është shprehur i bindur se ai i ka rrënjët nga Shqipëria. Komenti i plotë i Lutfi Dervishit:
Messi, ylli shqiptar në galaktikën kuqezi! Fatkeqësisht, ka ende njerëz që nuk po e besojnë dot se Lionel Messi, një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjithë kohrave është me origjinë shqiptare. E vërteta është një dhe vetëm një: Ai është një tjetër yll shqiptar në galaktikën e pafundme të vlerave kuqezi nëpër botë.
Doni më shumë fakte për pikëpyetjet tuaja? Për ata që duan të shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë, gjatë muajit të botërorit në Katar u zbuluan mjaft të dhëna që vërtetonin katërcipërisht rrënjët, degët dhe sythet e Messit. U faktua se familja e tij nga nëna ka emigruar në Argjentinën e largët nga fshatrat arbëreshë të Italisë së Jugut ku thuhet se fillimisht ka hyrë ilegalisht përmes një varke me vela bashkë me një grup tjetër emigrantësh.
Më poshtë rendisim vetëm disa prej “shenjave” që garantojnë origjinën e birit të atdheut tonë, Messit të madh, yllit shqiptar që vendosi krenarinë tonë kombëtare në piedestalin e nderit.
Ka patur një pyetje prej 20 vjetësh që besoj e mori përgjigjen se kush është lojtari më i madh i të gjithë kohërave, Mesi apo Ronaldo. E patë në botëror se si e trajtuan Ronaldon ata që i konsideronte të vetët. Traineri e poshtëroi pasi e la në stol dhe si për t’i ulur krenarinë e fuste dhe e nxirrte nga loja si të qe një lodër me kurdisje.
Ai i shkretë nuk hapte gojën, por vetëm vraponte dhe mobilozonte të tijët për të fituar. Po Messi? Erdhi dhe mbeti si zotni i vërtetë, nga ato që të kujtojnë Mesët shkodranë, 70% të kohës ecte në fushë pa u shqetësuar dhe kur t’i mbushej mendja ndizej si motorr me bateri për të shpartalluar portën kundërshtare. Po le të guxonte traineri ta hiqte… Ai do t’a bënte për një lek në sy të kamerave dhe do ta shante me libër shtëpie siç i ka hije një burri me gjak shqiptari që nuk të fal, sidomos, në raste si këto.
A e patë ndeshjen dramatike Argjentinë – Holandë? E vërtetë që Argjentian fitoi, por Messi i nisi të sharat në stërvitje, i vijoi në fushën e lojës dhe i mbylli në konferencën e shtypit pas ndeshjes. A e mbani mend se çfarë i tha sulmuesit të Holandës që i ishte ofruar për të ndërruar fanelën? “Pse m’shef? Dhe ju e dini mirë se çfarë ndodh kur një shqiptar lëshon pyetjen dramatike: “Pse m’shef”? Por për fat aty ishte një gazetar që ndaloi sherrin që pa dyshim do të kishte pasoja tragjike.
A e keni vënë re se Messi pas çdo goli të shënuar ngre gishtat tregues lart në qiell? Lutet për gjyshen e tij arbëreshe e cila iku nga kjo botë me amanetin: Mos harro se kush je, mos harro prej nga vjen, mos harro mëmëdheun e pellazgëve”.
Po të keni parë dokumentarin për fëmijërinë e Messit do t’u hiqet çdo mëdyshje që Messi është me origjinë shqiptare ku gjyshja shfaqet fillimisht si burrneshë e vërtetë
Është pikërisht ajo grua fisnike që e nxiti për t’u bërë ai që është: futbollisti më i mire i të gjithë kohërave. Gjyshja e çonte Messin në shkollë, por ndryshe nga gjyshet e tjera që i jepnin nipërve të tyre bukën e mbështjellë apo librat, nënokja i jepte Messit topin e rrumbullakët dhe i thoshte: edhe bota kështu është…luaj të keqen nëneja se nuk ja ka parë njeri hajrin shkollës.
Nga burime të konfirmuara tashmë, Messi ka dashur që pas çdo goli të shënuar në botëror të bënte me dy duar simbolin e shqiponjës, por i është lutur duke qarë Infantino, presidenti i FIFA-s që është zvicerian. “Aman të lutem vetëm këtë mos e bëj se po e bëre këtë nuk kthehem dot në Zvicër nga Xhaka dhe Shaqiri”.
Ju e keni vënë re se Argjentina ishte ekipi që mori më shumë penallti, plot pesë. Dhe kush i gjuajti të gjitha penalltitë? Messi. Guxon njeri tjetër përveç shqiptarit t’i gjuaj të gjitha penalltitë?
E patë mënyrën e tur pshme, jo etike, se si festoi portieri Martinez kur mori “dorashkën e artë”? Në fakt, ideja për atë veprim ishte e shqiptarit Messi, por shoku i skuadrës Martinez ju lut dhe e bindi duke i thënë: më ler ta bëj unë se qenka gallatë…..
Mbiemri Messi është i përhapur në Shqipëri, veçanërisht në qarkun e Shkodrës. Gjyshja e Messit ka treguar se Babgjyshi i saj i ka rrëfyer me ëndje se stërgjyshi ka qenë shqiptar dhe kjo sigurisht nuk është një përrallë fëmijërie siç mund të pretendojë ndonjë gja kprishur. Për nder të kësaj familje në Postribë edhe sot e kësaj dite qëndron një monument kulture i quajtur Ura e Mesit. Ura ka 10 harqe, dhe amaneti i plakës së urtë atdhetare ka qenë që në fushën e lojës Messi të mbante numrin 10.
Edhe gruaja e Messit thuhet se është me origjinë shqiptare po për të ende historianët tanë po grumbullojnë të dhëna. Sot mund të analizojmë treguesit: A e patë se si bënte ligjin në çdo ndeshje? Nuk e la të bënte fotografi me asnjë femër. I nxirrte si mburojë tre kalajmajtë dhe për siguri i hidhte edhe një shikim domethënës: Hë….?! Veç të tjerash, ashtu si çdo emigrant që i mban të lidhura rrënjët me token amë, do pranonte të martohej veç me një grua të origjinës së tij.
Messi ka lindur më 24 qershor, në të njëjtën ditë që ka lindur edhe shkrimtari i madh argjentinas Ernesto Sabato. Askush nuk e vë dot në dyshim se Sabato është me origjinë arbëreshe.
Qindra mijëra shqiptarë janë me Argjentinën për shkak të Messit dhe festuan si për djalin e tyre dhe kjo është dëshmi tjetër e thirrjes së gjakut i cili nuk bëhet ujë o lum miku. Messi ka dashur me kohë të marrë pasaportën shqiptare, por nuk ka dashur të hapë sherr mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ka ende mbi tryezë ftesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj i cili e ka thirrur për t’i dhënë shtetësinë dhe çelësin e qytetit ku në axhendë parashikohet edhe mbjellja e një peme në kujtim të gjyshes.
Andaj, është koha për të mbyllur sherrin që ka nisur nëse Messi është nga Mashkullora e Gjirokastrës apo nga Postriba e Shkodra. Ky detaj nuk ka rëndësi pasi ai na përket të gjithëve. Jo vetëm ne që jemi në Shqipëri. Messi bën krenar çdo bashkëkombas në rruzullin tokësor. Nderime përjetë, rrofshin yjet, rroftë galaktika kuqezi!